Indi, ndalet interneti për të kontrolluar protestat

Qeveria indiane ka vendosur mbylljen e internetit dhe kufizime në vende të ndryshme, pasi tre persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën në protesta kundër ligjit të ri të shtetësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ora policore është vendosur në qytetin jugor Mangaluru në shtetin Karnataka, ku dy protestues humbën jetën pasi policia hapi zjarr, njoftuan sot kanalet televizive indiane.

Sipas mediave, duke cituar mjekët në Universitetin Mjekësor King George, një tjetër person vdiq nga plagët në Lucknow, kryeqyteti i shtetit verior Uttar Pradesh.

“Ora policore zbatohet në juridiksionin e Komisariatit të Policisë Mangaluru që mbulon qytetin, deri në mesnatën e 22 dhjetorit. Shërbimet e të dhënave celulare të internetit janë pezulluar në Dakshina deri të shtunën në mbrëmje”, bëri të ditur udhëheqësi kryesor i gazetës indiane në gjuhën angleze The Hindu.

Mbyllja e internetit është zgjeruar në disa qytete tjera në Uttar Pradesh. Përveç Lucknow, qytetet që përballen me mbylljen e internetit janë Ghaziabad afër Delhi, Pilibhit, Sambhal, Bareilly dhe Meerut. Në Lucknow, interneti do të mbetet i pezulluar deri në mesditën e së shtunës, sipas një urdhri të qeverisë.

Shërbimet sot u rivendosën pjesërisht në shtetin verilindor të Assam-it, i cili ishte dëshmitarë i dhunës në shkallë të gjerë javën e kaluar. Shefi i policisë G P Singh, megjithatë, paralajmëroi njerëzit të mbeten tepër të kujdesshëm.

Protestat e përhapura, kundër ligjit të ri të shtetësisë, i cili konsiderohet si diskriminues ndaj muslimanëve, trazuan të enjten Indinë.

Protestuesit në shtete të ndryshme kundërshtuan ndalimet për asamblenë publike, duke bërë që autoritetet të ndalojnë qindra aktivistë, përfshirë historianin e shquar Ramachandra Guha, politikanë dhe aktivistë të lartë të shoqërisë civile.

Ligji (CAA) i miratuar javën e kaluar u jep shtetësi Hindusëve, Sikëve, Jains, Parsis, Budistëve dhe të Krishterëve nga Pakistani, Afganistani dhe Bangladeshi, por bllokon natyralizimin për muslimanët.