Indi, masa të shtuara të sigurisë rreth xhamisë Jama pas miratimit të Projektligjit të Bordit të Vakëfit

Forcat e sigurisë së Indisë, përfshirë anëtarët e Forcave për Veprim të Shpejtë (RAF), janë vendosur rreth xhamisë Jama në kryeqytetin New Delhi para namazit të xhumasë, raporton Anadolu.

Masat e shtuara të sigurisë pasuan miratimin e shumëpritur të Projektligjit të Bordit të Vakëfit 2025, i cili u miratua së fundmi nga të dyja dhomat e parlamentit.

Partia kryesore opozitare e Kongresit të Indisë njoftoi se do të kundërshtojë në Gjykatën e Lartë këtë projektligj të miratuar së fundmi, i cili rishqyrton ligjet që rregullojnë dhurimet fetare muslimane dhe i cili është përshëndetur nga kryeministri Narendra Modi si një moment i madh historik për reformën dhe transparencën.

Projektligji i diskutueshëm, i cili zbatohet për vakëfe, përkatësisht për tokë ose prona të dhuruara nga muslimanët për qëllime fetare, arsimore ose bamirëse, kaloi të dy dhomat e parlamentit pavarësisht rezistencës së ashpër nga partitë opozitare dhe organizatat muslimane.

Lideri i lartë i partisë Kongresi Kombëtar Indian, Jairam Ramesh, konfirmoi se partia e tij “shumë shpejt do ta sfidojë kushtetutshmërinë e projektligjit” në Gjykatën e Lartë.

Komentet e tij erdhën menjëherë pasi kreu i Kongresit Kombëtar Indian, Mallikarjun Kharge, dënoi projektligjin, duke theksuar se ai është paraqitur për “të ngacmuar pakicat”.

Kharge kritikoi mënyrën e miratimit të projektligjit, duke theksuar se gjatë votimit në dhomën e ulët (Lok Sabha), 299 ligjvënës e mbështetën dhe 232 e kundërshtuan.

“Kur ky projektligji u miratua në Lok Sabha natën vonë, 288 vota u hodhën në favor të tij dhe 232 kundër tij. Pse ndodhi kjo? Kjo do të thotë se ka shumë të meta në projektligj. Nga kjo, ne mund të hamendësojmë se pavarësisht kundërshtimeve nga parti të ndryshme, ky projektligj u soll në mënyrë arbitrare”, shkroi Kharge në platformën X.

Legjislacioni shkaktoi shumë kritika nga grupet e shoqërisë civile muslimane. Jamaat-e-Islami Hind e quajti atë “sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë fetare dhe të drejtave kushtetuese”.

Megjithatë, Modi dhe anëtarët e partisë së tij qeverisëse Bharatiya Janata (BJP) mbrojtën legjislacionin si një lëvizje drejt transparencës dhe barazisë më të madhe.