Pikërisht, në gjithë këtë situatë, rikthimi i rajonit në vizionin e Procesit të Berlinit mbetet jetik për të ardhmen e popujve të gadishullit problematik. Në gjithë këtë kontekst të komplikuar, mbetet shumë e rëndësishme që shqiptarët të afirmojnë vizionin e tyre europian që vjen natyrshëm si trashëgimi historike dhe si substancë kulturore përkatësie europiane. Pavarësisht nga dinamikat që do të ndodhin në rajonin e Ballkanit, shqiptarët duhet të afirmojnë pandalshëm përhershmërinë europiane si një vlerë e trashëguar dhe si një vizion sublim edhe në kohën e ndërkëmbëzave të pritshme në periudhën që vjen.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Ligjësitë historike nuk janë “fije” statike që mund të tejkalohen sa herë që ndodhemi përpara ndonjë entuziazmi politik. Ato funksionojnë heshturazi nën sipërfaqen e lëmuar të politikave dhe diplomacive me të njëjtën fuqi dhe, shpeshherë, me të njëjtin fatalitetet. Prapa diskurseve të ambalazhuara që nxjerrin në plan të parë synimin europian, gjithnjë mund “të struken” paranoja historike, që në një kontekst të caktuar kohor mund të shfaqen nën maskën e angazhimeve properëndimore. Në fakt, edhe pse tërësisht në një kontekst tjetër kohor, fatalitetet historike vijnë të formësohen në forma tepër të komplikuara dhe të padukshme, që në esencë kërkojnë të ruajnë të njëjtat logjika ekspansioniste dhe dominuese tashmë në një realitet të ri gjeostrategjik.
Sa për ta ilustruar gjithë sfondin e rikthimit të ligjësive historike në një kontekst të ri, po përmendim në këtë rast një intervistë të gjatë të Henry Kissingerit për “The Economist”, ku ai gjerësisht procedon pikërisht me këto ligjësi historike, por të transkriptuara në konceptin e tij të real-politikës. Pushtimin e Ukrainës nga ana e Rusisë ai e sheh në dritën e këtij prapakthimi historik, duke krijuar kështu një vizion tjetër zgjidhjesh që shkon përtej interpretimeve të përditshme. Në këtë rast, mbetet pak e rëndësishme nëse pajtohemi me qasjen e tij ose jo. Më rëndësi mbetet procedimi historik i tij në planimetrinë e komplikuar gjeostrategjike, një procedim që në asnjë rast nuk i përjashton ligjësitë historike.
Ndërvarësitë, perspektivat dhe angazhimet gjeostrategjike mbeten të përhershme, sikurse që mbetet e përhershme aspirata e një kombi për ta afirmuar lirinë dhe dinjitetin e vetë në rrethanat dhe dinamikat e këtyre gjeostrategjive. Ky afirmim ekzistencial i lirisë dhe i dinjitet mbetet kryefjalë për përhershmërinë e një kombi në kohën historike. Brenda kohës historike mund të shfaqen fragmente orientimesh dhe “lajthitje” tjera bjerrakohëse, por për një komb të konsoliduar konstantat e qenësisë së tij në kohën historike përfaqësojnë aspiratën legjitime të përkatësisë të përshkuar nga fryma e gjenezës dhe e gjithë trajektores që e përcakton ëndrrën e një kombi.
Shqiptarët, historikisht, i kanë takuar Europës dhe gjithë angazhimi i tyre historik pranë pikërisht në këtë gjakim të përhershëm për të rifituar dhe riafirmuan përkatësinë dhe praninë e tyre në kontinentin e vjetër. Janë dy përudha kohore që tashmë e kanë vulosur këtë orientim europian të shqiptarëve, që si të tilla përfaqësojnë formësimin identitar dhe kulturor të përhershmërisë europiane shqiptare. Rilindja Kombëtare dhe periudha e artë e viteve 30-ta, përfaqësojnë dy paradigma që kanë inkarnuar në shpirtin dhe botëshikimin shqiptar përkatësinë europiane si vizion dhe qenësi e përhershmërisë shqiptare. Janë prurjet intelektuale të këtyre dy epokave që kanë ravijëzuar vizionin europian të shqiptarëve, që fuqishëm manifestohet edhe në kohën tonë, pa asnjë hamendje tek të gjithë faktorët relevantë politikë dhe kulturorë.
Përtej këtij orientimi historik shqiptarët kanë njohur fragmente eklipsesh që kanë ardhur nga “aventura” politike që përkohësisht janë ambalazhuar si “angazhime europiane”, por që në fakt më tepër kanë qenë taktizime të pakuptuara dhe të pashpjeguara deri në fund të aktorëve politikë në një kontekst të caktuar kohor me shumë të panjohura. I tillë ishte edhe projekti “Open Balkan”, i cili nuk arriti që të strukturohet në asnjë rast në një vizion të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me gjasë ky projekt funksionoi vetëm për sa kohë që Procesi i Berlinit kishte një ndërprerje dhe një paqartësi pas largimit të pagëzueses së këtij procesi, ish kancelares gjermane, Angela Merkel.
Edhe në shkrime të mëhershme pikërisht mbi këto dy projekte kemi theksuar se asnjë projekt nuk mund të jetë i mirëqenë për Ballkanin Perëndimor pa një impenjim të fuqishëm europian. Përderisa “Open Balkan” po shfaqej si një tullumbace tipike ballkanike, analistë të vëmendshëm kishin theksuar se ky projekt në asnjë rast nuk mund ta zëvendësonte Procesin e Berlinit, i cili kishte garancinë e Bashkimit Europian, por edhe gjithë mekanizmat për të imponuar një vizion të mirëqenë europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor përtej retorikave tipike ballkanike “open”. Ashtu edhe siç pritej, “ngadhënjimi” i Procesit të Berlinit ishte i padiskutueshëm, pavarësisht përpjekjeve për të krijuar një logjikë europiane në miniaturë në gadishullin e trazuar të Ballkanit.
Pavarësisht retorikave dhe përpjekjeve për të iniciuar nisma nga vendet e Ballkanit, megjithatë ky rajon mbetet tepër i komplikuar për të aspiruar një normalitet të brendshëm pa mekanizmat e BE-së. Brenda kësaj kohe të rikonfigurimit të vizionit të Ballkanit Perëndimor, tashmë kemi pasur shumë turbulenca politike, të cilat edhe njëherë kanë dëshmuar se shtete, siç është në këtë rast Serbia, vështirë mund të çlirohen nga politikat retrograde, të konfliktualitet të përhershëm dhe të ambicies për dominimin në gadishullin e brishtë të Ballkanit.
Pikërisht, në gjithë këtë situatë, rikthimi i rajonit në vizionin e Procesit të Berlinit mbetet jetik për të ardhmen e popujve të gadishullit problematik. Në gjithë këtë kontekst të komplikuar, mbetet shumë e rëndësishme që shqiptarët të afirmojnë vizionin e tyre europian, që vjen natyrshëm si trashëgimi historike dhe si substancë kulturore përkatësie europiane. Pavarësisht nga dinamikat që do të ndodhin në rajonin e Ballkanit, shqiptarët duhet të afirmojnë pandalshëm përhershmërinë europiane si një vlerë e trashëguar dhe si një vizion sublim edhe në kohën e ndërkëmbëzave të pritshme në periudhën që vjen. Ky orientim dhe ky kultivim i pandërprerë i vlerave europiane iu mundëson shqiptarëve të jenë protagonistë të fatit të tyre, iu mundëson të jenë përfundimisht protagonistë të kohës historike përtej eklipseve të shfaqura që kanë qenë fatale për shqiptarët.
Gjithë planimetria e angazhimit politik, shoqëror dhe kulturor shqiptar duhet të vendoset mbi vlerat europiane, mbi vizionin europian, pavarësisht nga dritëhijet që do të shfaqen gjatë këtij rrugëtimi. Ky orientim mbetet kategorik sidomos për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në kohën kur tashmë po shfaqen dilema se çfarë mund të ndodh nëse nuk do të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe nëse Maqedonia e Veriut nuk vazhdon me procesin e negociatave me BE-në. Shqiptarët, gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë, do të duhet pa asnjë hamendje të afirmojnë konceptin europian si qenësi dhe si vizion përhershmërie shqiptare. Shqiptarët nuk kanë alternativë tjetër. Përgjithësisht, rajoni nuk mund të ketë alternativë tjetër pavarësisht vonesave që mund të shfaqen të përcjella me turbulenca politike dhe mbase edhe tensione tjera parazgjedhore.
Shqiptarët duhet të jenë protagonistë të denjë të kohës historike dhe politikisht ta artikulojnë në vazhdimësi vizionin dhe orientimin europian. Kjo mbetet rruga me e sigurt në lëvizjet tektonike të gjeostrategjive dhe në një kontekst kohor me shumë të panjohura.
Sigurisht në gjithë këtë peizazh të trazuar ne duhet patjetër të ruajmë një qasje pozitiviste për sa i përket rajonit të trazuar të Ballkanit Perëndimor. Gjithnjë duke sjellë ndërmend ato ligjësi që vijnë t’i ngatërrojnë gjerat, që vijnë ta shndërrojnë rajonin në një metaforë të trishtë. Dhe, në këtë rast do të na vinte në ndihmë pikërisht libri “Ballkani Imagjinar” i autores bullgare Maria Todorova, i cili hedh dritë mbi këtë tërësi gjeografike, duke e vendosur Ballkanin në një kontekst të ri qasjesh dhe duke i dhënë këtij gadishulli shkëlqimin dhe rënien e tij. Me një repertor të gjerë referencash, ky libër e zhvendos imazhin e gadishullit nga rrafshi pezhorativ në rrafshin e eksplorimeve të thella, të cilat mbeten paradigmatike për të ardhmen e Ballkanit. Në një intervistë, autorja e këtij libri, Maria Todorova, mes tjerash thotë: “Vështirësitë e modernizimit dhe ekseset e tjera të ndërlidhura me nacionalizmin kanë krijuar situatën, në të cilën Ballkani identifikohet si simbol i agresivitetit, intolerancës, barbarisë etj. Këto metafora dhe keqpërdorimi i tyre në kontekstin politik, unë i kam kritikuar në librin tim. Nuk duhet të harrojmë se Ballkani mund të jetë edhe metaforë pozitive… Ballkani mund të jetë kategori shkencore. Në kuptimin më të gjerë të fjalës, regjioni që ne sot e quajmë Ballkan, i ashtuquajturi gadishulli i Europës juglindore, është rezultat i lojës së ndikimeve të shumta historike, politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj”. /revistashenja