Imazhet e torturave përndjekin viktimën në Siri

I mbajtur me vite në burgjet e regjimit, avokati Ali Khatip nga Idlibi nuk mund të harrojë momentet e torturës në burgjet e regjimit të Bashar al-Assadit në Siri.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Khatip i cili u ishte nënshtruar torturave të rënda në burgjet e regjimit për rreth shtatë vjet, kujtoi metodat çnjerëzore të torturave dhe mizoritë që ai dëshmoi gjatë burgosjes së tij në një qendër paraburgimi në aeroportin Hama.

Khatip tha që humbi gati 50 kilogramë të peshës së tij në vetëm tre muaj paraburgim për shkak të urisë dhe torturave.

“Unë falja namazin me sytë e mi. Nëse do ta dallonin, unë do të isha torturuar”, kujtoi Khatip.

“Nuk kam menduar për të kryer vetëvrasje as në momentet e mia më të vështira. Besimi im në Zot më bëri që të harroj vuajtjet, më mbajti gjallë”, tha ai.

Khatip tha se ai u arrestua nga forcat e regjimit më 7 shtator 2012 në kryeqytetin Damask për shkak se kishte marrë pjesë në një prej protestave në rajonin Jabal Zawiya të Idlib.

Pas shtatë vjetësh të kaluara në burg, ai u la i lirë në prill të vitit 2019 dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA).

Siria është përfshirë në një konflikt shkatërrues që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit shtypi me forcë demonstruesit me ashpërsi të papritur.

Regjimi, i cili ka vrarë mijëra njerëz gjatë luftës civile, ka arrestuar qindra mijëra njerëz në burgje dhe qendra të marrjes në pyetje.