Ibrahim Ozkaya, imam në xhaminë e fshatit Taşlıca të komunës Korkut në provincën Muş të Turqisë, së bashku me xhematin hedhin ushqim në natyrë për kafshët e egra të cilat kanë vështirësi të gjejnë ushqim për shkak të motit të ftohtë dhe reshjeve të borës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ozkaya përmes altoparlantëve të xhamisë bën thirrje deri te fshatarët në gjuhën turke dhe kurde për të dërguar ushqime në natyrë për kafshët e egra të cilat ballafaqohen me vështirësi në kushtet e rënda të dimrit.
Ozkaya, xhemati dhe banorët e fshatit i dërgojnë ushqimet dhe bukët e mbledhura në zonat e populluara nga kafshët.
Në deklaratën e tij, Ozkaya tha se së bashku me banorët e fshatit përpiqen që në këtë mënyrë të kujdesen për gjallesat në natyrë.
Duke potencuar se njerëzit duhet të jenë të mëshirshëm ndaj kafshëve, Ozkaya u shpreh: “Meqë në këtë rajon ka rënë shumë borë, kohë pas kohë bëjmë thirrje në mënyrë që kafshët e egra të mos ngordhin nga uria. Së bashku me fshatarët tanë në natyrë dërgojmë ushqime dhe bukë”.
“Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në fund të dimrit”
Ferit Yalçın, një nga banorët e fshatit, duke vënë në pah se në kushte dimërore kafshët kanë vështirësi në gjetjen e ushqimeve, tha se ushqimet i dërgojnë në rajonin Kosor, ku, sipas tij, ka popullsi të dendur të kafshëve.
“Edhe sot, imami i fshatit tonë bëri thirrje përmes altoparlantëve të xhamisë dhe kërkoi të dërgojmë ushqime në natyrë. Çdokush nga shtëpia solli grurë, bukë dhe ushqime. Ato i lamë në zonat më të frekuentuara nga kafshët. Ne si fshatarë do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në fund të stinës. Nga këto ushqime përfitojnë shumë kafshë, siç janë thëllëzat, lepujt dhe dhelprat. Megjithatë, kohë pas kohë gjuetarët vijnë dhe i gjuajnë. I lusim ata të mos vijnë në këtë zonë dhe të mos i vrasin posaçërisht thëllëzat”, theksoi Yalçın.
Ndërkaq, banorët e fshatit thonë se gjallesat në natyrë janë shumë të rëndësishme për ta dhe rajonin. Ata urojnë që ky aktivitet i filluar nga ana e imamit të tyre të jetë shembull edhe për fshatrat e tjerë.