Imami i Xhamisë Al-Aksa ndalon këndimin e himnit izraelit

Imami i Xhamisë së Kudist Al-Aksa, Sheiku Ekrima Sabri, ua ndaloi muslimanëve këndimin e himnit kombëtar izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Sabri për AA tha se himni izraelit përmban fjalë që potencojnë sundimin izraelit mbi tërë Palestinën, duke përfshirë Kudsin dhe kompleksin Al-Aksa.

Ai tha se ata që këndojnë himnin izraelit në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) duhet të jenë analfabetë ose cionistë.

Nëpër rrejtët sociale u publikuan video ku shikohet se si një grup njerëzish në EBA këndon dhe përcjell me instrumente himnin izraelit, ndërsa kjo është filmuar disa ditë pasi EBA, Bahreini dhe Izraeli në SHBA nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. 

Këto video në rrjetet sociale i ndanë dhe i promovuan një numër zyrtarësh izraelitë, duke përfshirë edhe zëdhënësin e ushtrisë izraelite, Avichay Adraee. 

Imami Sabri pohon se ata që këndojnë himnin janë mëkatarë sepse në këtë mënyrë tokën e muslimaneve ua falin jomuslimanëve. 

“Kurrë as që kemi menduar se himni i okupatorëve mund të këndohet kudo në tokat arabe”, ka thënë Sabri.