Imagjinoni…

Nga Latif Mustafa, Shkup

Imagjinoni, rikthimi i talebanëve në Afganistan, që në të vërtetë shënon një moment të rëndësishëm historik në rrjedhën e qytetërimit perëndimor ku kemi një përsëritje të situatave historike siç është ajo fiseve germanike dhe teutone karshi perandorisë Romake dhe shënojnë një etapë tjetër qytetërimi, ku perëndimi dalëngadalë po kalon në histori dhe lindja në ardhmëri, e tek ne, s’ka debate se mediet janë në pushim. Forume profesorësh universitetesh dhe të ngjashme si këto, ka kohë që s’kam dëgjuar të kenë bërë aktivitete të tilla shkencore.
Imagjinoni, këtë verë u shënua 20 Vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, por pa asnjë debat serioz në lidhje me këtë marrëveshje, luftën dhe të arriturat. Hiq një konferencë të organizuar nga pushteti ku i thurte lave vetes, asnjë debat kritik madje qoftë edhe tendencioz madje. Opozita, në anën tjetër, pa asnjë reflektim për këtë marrëveshje e që në heshtje të pranuar nga ana e tyre, pa çka se e patën shpallur të vdekur para disa vitesh dhe ftonin në një “marrëveshje të re për Maqedoninë” dhe e gjitha kjo u përfundua me një mbrëmje galla ku në sfilitë e saj endeshin politikanët e pushtetit.
Imagjinoni, së shpejti kemi zgjedhje lokale, dhe partia në pushtet pas tri mandateve të plota, për kryetarë të komunave ka ofruar po të njëjtit kandidat, hiq një ose dy që janë tjerë. Dhe për këtë nuk ka asnjë debat në lidhje me shqetësimin tonë që mund të kemi për opozitën. Shqetësim? Po po, shqetësim. Sepse, meqë pushteti ka vendosur për të njëjtët kandidat ata me siguri janë të bindur se do fitojnë bindshëm në të kundërtën do ofronin kandidat më kreativ. Pra propozimi i partisë në pushtet dëshmon për apatinë që e ka kapluar opozitën.
Imagjinoni, njerëzia, bile edhe ato që kishin dyshime rreth vaksinës këto ditë presin në radhë të vaksinohen ngaqë nuk kanë mundësi të hyjnë në kafe e ta vrasin kohën dhe ta shporin tutje gjithë këtë mizori për të vazhduar në thellësinë e gjumit të kamotshëm shpirtërore, për t’i qëndruar besnik servilitetit. Sikur të ishin më kreativ e të shpiknin një lëvizje të re neo-ekzistencialiste, e ta gjunjëzonin Sartrin e Kamyn në art, letërsi e filozofi. Por jo, në kafenetë tona, as nuk festohet, as që argëtohemi thjesht aty jemi pa asnjë qëllim dhe shyqyr Zot është e vetmja gjë që dimë të bëjmë.

Imagjinoni? Jo, ne s’guxojmë të imagjinojmë sepse realiteti i vetëm i kësaj bote është e nesërmja e që është veç përsëritje e të sotshmes, një rutinë e ngujuar në shpirtin tonë injorant!