Meditime (37)
“Im bir, ky, është zotëri..!”
I telefonova mbrëmë një miku, për t’u takuar. Kishim plot për të diskutuar, tashmë që edhe Kurban Bajrami po afron dhe, mendimet dhe idetë ndërtuese vërshojnë, ai burim i pashterrshëm i mëshirës së Krijuesit tonë ndaj nesh.
– “Kam dalur me vajzën e vogël…” -, ma ktheu, me një ton justifikues, por me një zë të mbushur me mirësi e bekime për vajzën, që me siguri e mbante për dore në ato momente.
Më shijoi shumë ky komunikim dhe, njëkohësisht më futi në mendime, a më mirë thuaj, u kthye në një shkëndijë frymëzuese për të rreshtuar këto fjalë.
Imagjinoni për pak mënyrën se si, shumë prej prindërve sillen me fëmijët e tyre. Po sjell në vëmendjen tuaj disa shprehje, që besoj nuk janë të huaja për asnjeri:
– “Shko na blej bukën!”.
– “Ma sill një gotë ujë!”.
– “Çohu dhe na ndez televizorin!”.
– “Hajde e më shkel pak këmbët!”.
– “Shko e tret plehrat!”.
– “Ma sill pak telekomandën!”.
– “Ulu te komshiu se kam harruar një plaçkë”.
– “Ngjitu në pemë e na këput ca fruta!”, e të ngjashme.
Janë shprehje, që shumë prindër ia drejtojnë në mënyrë sistematike fëmijëve të tyre.
Nuk dua të them se nuk mund të jenë këto e të ngjashme me këto “urdhra”, porse dua të tërheq vëmendjen se fëmijët nuk janë thjeshtë shërbëtorë të nënshtruar, por një amanet i shenjtë, a më mirë thuaj një dhuratë e shenjtë e vazhdimësisë së nderimit të njeriut me cilësimin si: mëkëmbës i Zotit në tokë!
Ndaluni pak dhe hidhni një sy nga disa sjellje të Resulullahut (paqja qoftë mbi të) me fëmijët.
Hz. Enes ibn Malik thotë: I shërbeva të dërguarit, dhjetë vjet dhe, sa herë më kërkonte diçka dhe unë nuk e kryeja, ose e humbisja, ndërkohë që ndonjë familjar i tij më qortonte, ai thoshte: “Lëreni, se po të qe shkruar për t’u realizuar, do të kryhej!”, siç transmetohet në librat e saktë të hadithit.
Ai zotni, u ul një ditë nga minberi, prej ku po mbante hytbe, sepse nipi i tij i vogël hyri në xhami. E mori në krahë, u rikthye në minber dhe ndër të tjera tha: “Im bir, ky, është zotëri e, ndoshta Allahu do të pajtojë në duart e tij dy grupe të mëdha prej muslimanëve!”, siç e transmeton Imam Bukhariu.
(Sa e madhe kjo fjalë: “zotëri”, për një fëmijë të vogël, që kushedi se sa e çfarë ka dhuruar në vetëdijen e tij ajo dëshmi e urtë e një gjyshi të dërguar nga Zoti i gjithësisë për të udhëzuar mbarë njerëzinë!)
Një herë e zgjati sexhden e tij, se një nga fëmijët i kishte hipur mbi shpinë dhe nuk desht t’ia prishte lojën!
E ngushëlloi djalin e vogël Ebu Umejr, ditën kur trumcaku i tij i vogël mbylli sytë. I tha, duke ia marrë hatrin me të mirë: “O Ebu Umejr, çfarë bëri Nugejri?” – (Nugejr, është zvogëlim i një lloj zogu që quhet: nagar).
Ajo që dua të them, përtej faktit se Resulullahu (a.s) ishte i mëshirshëm, është kujdesi për të zhvilluar aftësitë e fëmijëve, për t’i përkëdhelur e dhënë rëndësi komunikimit me ta, për t’i vlerësuar e për t’i përkushtuar kohë nga koha dhe vëmendja e jonë!
Ndryshe, edukimi nuk ndodh thjeshtë duke i bërtitur: “Çohu me falë namazin!”, as duke i marrë me vete në xhami e duke i lëshuar papërgjegjshmërisht, edhe nëse e thyejnë xhaminë dhe e ndezin atë me zhurmë e poterë, as duke i zgjuar në syfyr e imponuar për të qëndruar pa ngrënë e pa pirë me preteksin e edukimit me agjërimin, si një pulë e lidhur në kotec, as..!?
Edukimi është amanet dhe fëmijët duhen trajtuar me njerzillek, mëshirë, durim e largpamësi, si të denjë për të qenë nesër më të mirë se ne!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 18 korrik 2021