Në një intervistë për Ekonomia Online, kryetari Ilazi ka thënë se me të kuptuar shkuarjen e të rinjve në luftërat e huaja, kanë reaguar dhe se nga ana e qytetarëve ka pasur reflektim.
“Kur e kemi hetuar një fenomen të tillë, ka pasur reagim nga unë si kryetar dhe nga Këshilli i Sigurisë, dhe kemi arritur të reflektojmë pozitivisht te qytetarët që mos të kemi raste të reja të shkuarjes… Nga të dhënat reale që dalin sot shihet se Kaçaniku nuk është vatër. Në komunën e Kaçanikut nuk mund të vërehet një element i një gjëje të tillë që është quajtur nëpër media të tjera ‘kryeqyteti i xhihadizmit’”, ka theksuar Ilazi.
Në këtë intervistë, ai flet dhe për sëmundjen gungore të lëkurës së gjedheve, e cila është bërë shumë shqetësuese për fermerët e këtushëm. Tregon se deri më tani ka 22 raste të ngordhjes së gjedheve. Ndërkohë, nga Ministria e Bujqësisë kanë marrë vetëm 800 vaksina. “Shpresoj se në një afat sa më të shpejtë, Qeveria të ndërmarrë masa dhe të sigurohet numri i nevojshëm për të parandaluar këtë sëmundje”.
Ndër të tjerash, Ilazi e ka shpalosur edhe shqetësimin për mosinteresimin e bizneseve për të shfrytëzuar tri zonat industriale të cilat ishin shpallur me vendim të Kuvendit Komunal. Njëra nga tri zonat industriale e ka infrastrukturën e gatshme për të funksionuar.
Buxhetin komunal për vitin 2016, kryetari e ka quajtur buxhet të mbijetesës e jo të zhvillimit ekonomik. “Krahasuar me vitin paraprak kemi një zvogëlim të buxhetit sidomos në investimet kapitale”, ka treguar ai.
Gjatë intervistës Ilazi ka folur edhe për të hyrat vetjake, investimet e huaja, për faljen e borxheve publike, grantet qeveritare e fondet e BE-se.