IKSHPK-ja me apel të ri: Rastet e mbrëmshme janë numër rekord, merreni seriozisht virusin

Gjatë së martës, Kosova ka thyer rekord me numrin e ri të rasteve.

Në Kosovë numri i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 1 mijë e 756, përderisa vetëm gjatë së martës janë regjistruar 141 raste të reja.

Duke e parë rritjen me të infektuar gjatë ditëve të fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka dalë me një apel të ri për qytetarët, shkruan lajmi.net.

Përmes një njoftimi, IKSHPK-ja ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë rekomandimet e dhëna, të mbajnë maska, distancë dhe higjienë.

Madje IKSHPK-ja ka bërë apel te qytetarët që ta marrin seriozisht këtë virus, shkruan më tutje lajmi.net.

“IKSHPK e kupton shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore kur ata rezultojnë pozitiv në SARS CoV-2, por qytetarët duhet ta marrin seriozisht apelin tonë për t’i zbatuar me përpikëri rekomandimet dhe bartjen e maskave në vende ku ka grumbuj njerëzish dhe nuk mund të mbahet distanca nën 2 m”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.