IKSHPK: Cilësia e ujit nga liqenet brenda standardeve të parapara

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, njofton se bazuar në rezultatet nga matjet e kryera deri më tani cilësia e ujit për pije është brenda standardeve të parapara.

Ndërsa IKSHPK tërheq vërejtjen se uji i puseve të pambrojtura janë me rrezik të lartë për kontaminim.

Kjo është komunikatë e plotë e IKSHPK-së:

Duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura për cilësinë e ujit për pije, si rezultat i reshjeve të dendura të shiut,  IKSHPK/QU ka sforcuar monitorim e cilësisë së ujit për pije, gjatë kësaj periudhe.

Bazuar në rezultatet nga matjet e kryera deri më tani cilësia e ujit për pije është brenda standardeve të parapara me UA 16/2012 Cilësia e ujit për konsum nga njeriu.

Vlera e shtuar e turbullirës ndikon në procesin e ngadalësimit të trajtimit të ujit dhe rrjedhimisht zvogëlimin e kapacitetit prodhues (zvogëlim i sasisë së ujit të përpunuar), andaj kompanitë për arsye të pamundësisë së prodhimit me kapacitet të plotë janë të detyruar të aplikojnë restrikcione me orar të caktuar.

Në këtë situatë qytetarët duke dashur që të kenë furnizim 24 orë me ujë detyrohen të gjejnë alternativa për furnizim nga burimet tjera të ujit.

Bunaret/puset janë të pa mbrojtura, të pa menagjuara dhe me rrezik të lartë për kontaminim. Andaj luten qytetarët të kenë kujdes në shfrytëzimin racional të ujit dhe kursimin e tij si dhe  në maksimum të kenë kujdes me shfrytëzimin dhe futjen e ujit në rrjet nga bunaret/puset, për arsye se cilësia e ujit ne këto resurse është jo e sigurt e posaçërisht për shkak të turbullirës.

Futja e këtij ujit do të ndikojë në ndotjen e rrjetit dhe do të reflektojë në cilësi.

IKSHPK konsideron që zbatimi i këtyre masave është i domosdoshem për tejkalimin e problemit aktual të cilësisë së ujit për pije dhe rrjedhimisht për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

IKSHPK do të vazhdojë mbikëqyrjen e afërt të gjendjes dhe koordinimin e veprimeve me KRU dhe institucionet tjera relevante.