Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka kërkuar nga qytetarët e Komunës së Prishtinës që të qëndrojnë në shtëpi, pasi ajri sot nuk është i shëndetshëm dhe kjo paraqet problem sidomos për personat e ndjeshëm dhe me sëmundje kronike.
Problemet me ajrin e ndotur fillojnë të shfaqen në sezonin e dimrit, ndërsa pasojat nga kjo i ndjejnë më së shumti qytetarët që kanë sëmundje kronike.
Ndryshe, në Kosovë, rreth 760 njerëz vdesin para kohe çdo vit, apo 90 për qind e tyre nga sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru, për shkak të ekspozimit ndaj ajrit të ndotur mjedisor.
Kështu thuhej në raportin “Menaxhimi i ndotjes së ajrit në Kosovë“, të prezantuar nga Banka Botërore, në fillim të këtij viti.
“Kryeqyteti Prishtina mban rreth 11 për qind të kësaj barre shëndetësore. Çmimi ekonomik i lidhur me dëmin shëndetësor nga ndotja e ajrit në Kosovë llogaritet të jetë mesatarisht rreth 240 milionë dollarë”, thuhet në raport.