Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dhënë disa propozime për institucionit lidhur me ndotjen e ajrit në Prishtinë.
Sipas IKSHP-së efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyera, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit.
Po ua sjellim komunikatën e plotë:
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike si Institucioni më i lartë shëndetësor, shkencor dhe profesional në vazhdimësi hulumton ndikimin e faktorëve mjedisor në shëndetin e popullatës, propozon dhe merr vendime profesionale dhe u rekomandon institucioneve kompetente eleminimin e mangësive të zbuluara dhe ndikimin e tyre të dëmshëm në shëndet.
Njëherazi jemi të obliguar të informojmë popullatën me shkaqet e ndotjes së ajrit i cili mund të kërcënon shëndetin.
Kohëve të fundit që nga data 23.10.2016, qyteti i Prishtinës është zhytur në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole, i cili vërehet gjithandej.
Sipas të dhënave të Ambasadës Amerikane vlerat e PM2.5 janë disa herë jashtë normales. Mesatarja ditore gjatë ketyre ditëve ishte 80-90 μg/m3, kurse tashme AKMM del me të dhënat se matjet e bëra nga IHMK kanë shënuar rritje të këtyre vlerave deri në 201 μg/m3.
Bazuar në matjet e realizuara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, dhe nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë se ajrit nga stacionet matëse në Prishtinë, edhe gjatë dy ditëve të fundit, janë regjistruar tejkalime të vlerave kufitare ditore me PM10. Vlera ditore maksimale e regjistruar për datën 08.12.2016, ishte 46.8µg/m3.
Përqëndrime të larta janë regjistruar edhe me ndotësin PM 2.5, për të cilin në stacionet e Prishtinës po të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë, është regjistruar vlera maksimale prej 41.4 µg/m3, që korrespondon me vlerën 116 të Indeksit të Cilësisë së Ajrit (AQI), ose me zonën e portokalltë, që është e ndjeshme për personat me ndjeshmëri të lartë ndaj kësaj ndotje.
Sipas të dhënave në kohë reale të cilësisë së ajrit në qendra të ndryshme të rajonit, tejkalime të Indeksit të Cilësisë së Ajrit (AQI) për parametrin PM 2.5, për këtë periudhë kohore janë regjistruar pothuajse në të gjitha qendrat e rajonit të Ballkanit si në Shkup me 162, Nish me 174, Beograd me 180 dhe Sarajevë me 136
Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyera, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit.
Si burime potencialisht ndotëse tashmë të njohura janë termocentralet elektrike, përdorimi i ngrohjes në sezonën e dimrit, automjetet e vjetëruara dhe trafiku i dendur, djegja e shtuar e karburanteve dhe lëndëve të ngurta djegëse, djegja e mbeturinave, përdorimi i pesticideve, mungesa e sipërfaqeve të mjaftueshme gjelbëruese, mos pastrimi i rrugëve, ndërtimet gjatë tërë vitit pa plan të mirëfillt urbanistik, prania enorme e pluhurit në qytet.
Këtë situatë shqetësuese do ta rëndojnë edhe më shumë ditët e ftohëta që do të vijnë dhe rënjet e temperaturave që do ta vështirësonte edhe më shumë ndotjen e ajrit si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jokualitative që po përdorin qytetarët.
Duke analizuar situtën aktuale Instituti Kombëtar, propozon këto veprime:
A. Masa strategjike
1.Urgjentisht të përpilohet një plan aksioni për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet dhe të aprovohet me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.
2. Adoptimi dhe transpozimi i legjislacionit te ajrit në përputhje me direktivat e EU dhe standardeve të OBSH.
3. Implementimi i programeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta për fushën e aerondotjes.
B. Masa specifike:
4. Urgjentisht të hiqen nga përdorimi veturat e vjetra dhe veturat pa katalizator.
5. Inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët.
6. Shtimi i numrit të autobusëve me karburante ekologjike në transport publik.
7. Shtimi i sipërfaqeve gjelbruese në zona urbane.
8. Matja e kontaminimit në pikat kyqe në Kosovë dhe paraqitje ditore e rezultateve online.
C. Masa individuale (rekomandime shëndetësore për popullatën)
1. Të redukohen daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat;
2. Qëndroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për aerosjen e dhomave.
3. Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall.
4. Të redukohet pirjen e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht ndalimi i duhanpirjes brenda hapsirave të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.
5. Grupet e popullatës së rrezikuar të tilla si me sëmundje kronike pulmonare,
zemrës, pacientët astmatik dhe të prirur për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna rekomandohet që të kalojnë më shumë kohë në mjedise me nivele të ulëta të ndotësve, të tilla si malet dhe vendpushime të shëndetshme.
Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se poqese nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.