Shqiptarët etnikë të Maqedonisë së Veriut, por edhe të Kosovës, do të vazhdojnë të kenë paqartësi në definimin e raportit të tyre me shtetin përderisa nuk e kuptojnë mirë rolin e kombit. Një lidhje më e fuqishme e shtetit me shtetasin (qytetarin) arrihet vetëm nëpërmjet fuqizimit të kombit, si një familje ku bëjnë pjesë të gjithë ata që posedojnë shtetësinë (pa dallime etnike, racore ose religjioze). Kjo lidhje është parakusht për nxitjen e zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik e shoqëror, pasi rrit kujdesin e shtetasit për shtetin dhe parandalon korrupsionin dhe keqpërdorimin gjatë drejtimit të shtetit.
Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë
Maqedonia e Veriut, në dioptrinë shqiptare, asnjëherë nuk është parë si shtet i përbashkët i etnive që e përbëjnë atë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duket se kanë vetëm lidhje administrative dhe politike me shtetin e tyre. Ata as nuk identifikohen me simbolet shtetërore, as me festat e as me ndonjë element tjetër me të cilin identifikohet shteti. Merreni për shembull kombëtaren e Maqedonisë së Veriut në futboll: aty gjysma e ekipit janë shqiptarë etnikë, kryetari i Federatës është shqiptar, por të rrallë janë ata që bëjnë tifo për këtë ekip. Në rend të parë vihet kombëtarja e Shqipërisë, e pastaj ajo e Kosovës. Por, kjo nuk vlen për pushtetin. Shqiptarët e duan shtetin për sa kohë janë në pushtet. Që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, partitë shqiptare kanë marrë pjesë në të gjitha proceset zgjedhore dhe në të gjitha qeveritë e vendit. Jo që nuk kanë pasur kushte të qarta, por shpesh kanë bërë garë të ashpër politike se kush të futet në pushtet. Pra, shqiptari etnik i Maqedonisë së Veriut e do pushtetin, por hamendet për shtetin. Mbase duken fjalë të njëjta, por shteti është ndërtuar t’u shërbejë shtetasve, kurse pushteti është timoni i tij.
Duket kjo paradoksale, por paradoksi nuk përfundon këtu. Termi “Maqedoni” nënkupton një hapësirë gjeografike që shtrihet në Maqedoninë e Veriut, Bullgari, Greqi dhe Shqipëri. Në historinë e largët, atë antike, Maqedonia ishte një perandori e drejtuar nga Aleksandri i Madh. Në kohët moderne të gjithë pretendojnë se ai ka qenë i tyre, madje edhe shqiptarët. Kur rilindësit shqiptarë ideonin kombin në fund të shekullit XIX dhe fillim të XX, ishin në dilemë nëse si kryetrim dhe shtyllë identitare të përdoret Skënderbeu apo Aleksandri i Madh. Skënderbeu, ndërkaq, e dimë se e mori këtë emër nga Aleksandri, sipas të cilit e emëruan otomanët. Paradoksi këtu qëndron në refuzimin e termit “Maqedoni” nga ana e shqiptarëve të këtij vendi, edhe pse rilindësit thonë se mund të kenë shumë hise në historinë e kësaj gjeografie.
(Vetë)përjashtimi nga shtetndërtimi
Raporti i shqiptarëve etnikë me shtetin e Maqedonisë së Veriut duket i padefinuar që nga 1945-ta e deri më sot. Sa u përjashtuan nga procesi i ndërtimit të republikës së re, që do të mbante emrin Maqedoni, shqiptarët e këtushëm edhe u vetëpërjashtuan. Ky (vetë)përjashtim vazhdoi të jetë edhe më i theksuar nga viti 1991, kur vendi e shpalli pavarësinë. Midis racionalitetit që kërkonte shtetndërtim dhe emocioneve, që nënkuptonin dëshira dhe folklor, një pjesë e madhe e politikës shqiptare zgjodhi të dytën. Kjo politikë e bazuar në populizëm dhe pikëpamje pa bazë teorike, ka rezultuar që edhe sot e kësaj dite shqiptarët etnikë mos jenë të interesuar sa duhet për shtetin ku jetojnë, edhe pse janë taksapagues të rregullt të tij. Një gjendje e këtillë nuk mund t’i bëjë asnjëherë të barabartë, pasi nuk ndjehen të tillë.
Ky vetëpërjashtim dukej se ishte i mirëseardhur, në mos i nxitur, nga elitat e atëhershme politike të maqedonasve etnikë, të cilat përfaqësoheshin nga trashëgimtarët e Lidhjes Komuniste dhe të revolucionarëve të VMRO-së. Në vend të konceptit qytetaro-gjeografik, ata e zgjodhën konceptin etnocentrist në ndërtimin e kombit të ri.
Ky raport i padefinuar, i cili i komplekson shqiptarët të identifikohen në tërësi me shtetin, i ka rrënjët edhe në historinë e vonshme politike. Lidhja intensive arsimore, kulturore, politike, por edhe familjare e shqiptarëve etnikë të Maqedonisë së Veriut me ata të Kosovës, e bënte këtë hapësirë të ish-Jugosllavisë si një njësi të vetme territoriale. Në themelimin e LDK-së, në vitin 1989, në mënyrë aktive kishin marrë pjesë edhe intelektualë e veprimtarë politikë nga Maqedonia e Veriut. Në kohën kur në horizont shihej shkatërrimi i Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve të reja, më 1991 formohet Këshilli i Shqiptarëve të Jugosllavisë, i cili kishte për detyrë t’i përcaktonte kahet e lëvizjeve të mëtejshme shqiptare. Në këtë Këshill bënin pjesë LDK-ja e Kosovës, PPD-ja dhe PDP-ja e Maqedonisë së Veriut, forume intelektualësh, lidhje shkrimtarësh dhe parti të tjera të sapoformuara. Vendimi i parë i këtij Këshilli ka qenë kërkimi i zgjidhjes së vetme për shqiptarët në federatën që shpërbëhej, që nënkuptonte krijimin e një shteti të ri mbi gjeografinë shqiptare të ish-Jugosllavisë.
Duke u nisur nga ky vizion, shqiptarët etnikë e bojkotuan referendumin e shpallur për pavarësinë e Maqedonisë së Veriut. Të kthyer me kokën kah Kosova dhe të injoruar në shtetin e porsakrijuar, shqiptarët etnikë krijuan një raport refuzues ndaj shtetit të tyre.
Keqkuptimet për kombin dhe etnitë
Ky kaos identitar buron edhe nga një defekt tjetër: keqdefinimi i nocioneve mbi shtetin, kombin dhe etninë. Assesi nuk arrihet të bëhet dallimi midis “kombit”, si një konstrukt shtetëror ose kushtetues, dhe “etnisë”, si prodhim i kulturës. Kombet filluan të shfaqen pas Revolucionit Francez të 1879, kur pronësia e shtetit nga kisha dhe mbretëria kaloi te të gjithë shtetasit (që sot ne i quajmë qytetarë, ndoshta një përkthim i gabuar i “citizens” nga anglishtja). Deri atëherë ideologjia fetare e kishte mbajtur unike gjithë shoqërinë me dallime të shumta, kurse familja mbretërore ishte imponuar si autoritet i pakontestueshëm në drejtimin e monarkisë.
Pas Revolucionit Francez filloi krijimi i shteteve moderne, me ç’rast kisha e humbi rolin e saj në sferën publike, kurse mbretëria u zhvesh nga pushteti. Me këtë u rrezikua edhe uniteti i shoqërive me diversitete klasore, gjeografike, etnike ose racore, të cilat i përbashkonte kisha e njëjtë në të cilën shkonin dhe mbretëria nga e cila qeveriseshin. Për ta zëvendësuar ideologjinë fetare dhe pushtetin e monarkisë, kombi promovohet si një familje e përbërë nga të gjithë ata që e kanë nënshtetësinë e një shteti të njëjtë. Pra, krijohet një religjion shekullar që do ta zëvendësonte religjionin e vërtetë në momentin kur duhej të jepej përgjigje në pyetjen se “kush jemi ne?”.
Kombin e ka definuar më mirë Benedikt Anderson-i, i cili thotë se “kombi është një bashkësi e konstruktuar (ndërtuar) shoqërore, e imagjinuar nga njerëzit që ta perceptojnë veten si pjesë e këtij grupi (shteti)”. Një tjetër teoricien i njohur, Ernest Gellner, thotë se “kombi është prodhim i shtetit për t’i mbajtur unikë shtetasit”. Sipas tij, kombet janë rezultat i presioneve të krijuara nga kërkesat e revolucionit industrial. Gellner-i thotë se sapo njerëzit me prejardhje shumë të ndryshme filluan të zhvendosen në qytete, ishte e nevojshme të krijohej një formë e identitetit të përbashkët për ta. Tomas Eriksen-i, ndërkaq, thotë se etniteti tregon identitetin e personit mbi bazën e atributeve të prejardhjes dhe trashëgimisë kulturore. Kurse kombi, sipas tij, janë marrëdhëniet e individit me shtetin. Shumë autorë të tjerë (Antoni Smit, Xhanfranko Poxhi, Antoni Gidens, etj.) thonë se kombi u shpik për të bërë njerëzit të jenë më afër shtetit, ta duan dhe madje të vdesin në mbrojtje të tij.
E tash pse shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut nuk arrijnë të ndërtojnë edhe lidhje emotive me shtetin, përskaj asaj racionale? Simbolet shtetërore, të miratuara në vitin 1991, nuk e kanë pasur mbështetjen e faktorit politik shqiptar. Himni i shtetit, si një nga tre simbolet kryesore, në disa strofa është etnikisht ekskluziv. Flamuri dhe stema nuk paraqesin ndonjë pengesë të madhe pasi janë, deri diku, neutral në aspektin etnik.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë njëlloj si gjermanët etnikë në Zvicër, ndërkohë që etnia (populli) e tyre e ka qendrën në Gjermani dhe shtrihet edhe në Austri, Belgjikë, Luksemburg etj. Pra, një popull që shtrihet në më shumë kombe: gjerman, austriak, zviceran, belg… Ky popull ka një gjuhë të unifikuar, pra atë gjermane, që shtyllë kryesore e identitetit etnik.
A ka tentuar dikush ta krijojë Gjermaninë etnike të bashkuar? Po. Ka qenë Otto von Bismark-u, i cili në shekullin e nëntëmbëdhjetë i bashkoi provincat e Prusisë në një shtet që u quajt Gjermani, ku ai ishte kancelar i parë tij. Në momentin e fundit, Austria e refuzoi këtë bashkim, pasi, për dallim nga Gjermania etnike, ishte një perandori multietnike. Të njëjtën gjë e bënë edhe gjermanët e Zvicrës me arsyetimin se “më mirë faktorë në federatën e vogël helene sesa periferi dhe të parëndësishëm në Gjermaninë e madhe”.
Shqiptarët etnikë të Maqedonisë së Veriut, por edhe të Kosovës, do të vazhdojnë të kenë paqartësi në definimin e raportit të tyre me shtetin përderisa nuk e kuptojnë mirë rolin e kombit. Një lidhje më e fuqishme e shtetit me shtetasin (qytetarin) arrihet vetëm nëpërmjet fuqizimit të kombit, si një familje ku bëjnë pjesë të gjithë ata që posedojnë shtetësinë (pa dallime etnike, racore ose religjioze). Kjo lidhje është parakusht për nxitjen e zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik e shoqëror, pasi e rrit kujdesin e shtetasit për shtetin dhe e parandalon korrupsionin dhe keqpërdorimin gjatë drejtimit të shtetit.