Mediat lokale identifikuan personin e arrestuar për sulmin të dyshuar terrorist të së martës jashtë Parlamentit Britanik si Salih Khater, shtetas 29-vjeçar britanik me prejardhje sudaneze, transmeton Anadolu Agency (AA).
I dyshuari është raportuar të ketë drejtuar makinën nga qyteti i tij i banimit, Birmingham, drejt kryeqytetit të hënën në mbrëmje dha ka vazhduar me automjetin në rrugët e ngjeshura të qytetit deri në orët e mëngjesit.
Policia e armatosur nxitoi në vendin e ngjarjes menjëherë pas incidentit, të mëngjesit të së martës, tha Neil Basu, ndihmës-komisioneri i kundër-terrorizmit.
Personi në fjalë u arrestua “me dyshimin për terrorizëm”, pasi u përplas me makinën e tij në barrierat e sigurisë pranë godinës së Parlamentit.
Departamenti policor i kundër-terrorizmit bastisi adresat në Birmingham dhe Nottingham pas incidentit, përfshirë apartamentin e Khaterit.
Në incidentin e djeshëm makina përplasi edhe disa këmbësorë dhe çiklistë. Të paktën tre persona u trajtuan nga shërbimet emergjente.
“Ne po e trajtojmë atë si një incident terrorist”, tha Basu në një deklaratë disa orë pas incidentit.
Barrierat e sigurisë janë vendosur në vazhdën e rritjes së sigurisë së ndërtesës së Parlamentit, pas sulmit terrorist i cili la pesë të vrarë dhe 50 të plagosur.
Në sulmin terrorist i cili ndodhi më 22 mars të vitit të kaluar, një person me automjetin e tij përplasi këmbësorët në urën Westminster, pas çka theri me thikë një polic i cili po bënte roje para Parlamentit, ndërsa më pas u qëllua për vdekje nga policia.
Policia ende nuk ka konfirmuar nëse i dyshuari i arrestuar është Khater.