Ministria e Shëndetësisë e Autoritetit Palestinez njoftoi mbrëmë se rasti i parë i konfirmuar i poliomielitit është zbuluar në qytetin Deir al-Balah të Rripit të Gazës.
Bëhet fjalë për një foshnjë 10 muajshe, e cila nuk ishte vaksinuar. Asnjë rast i sëmundjes nuk ishte regjistruar në Rripin e Gazës për 25 vjet.
Më herët gjatë ditës, dy agjencitë kryesore të OKB-së, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF, bënë thirrje për një “armëpushim humanitar 7-ditor” në luftimet, në mënyrë që më shumë se 640,000 fëmijë nën moshën 10 vjeç të mund të vaksinohen në javët e ardhshme kundër poliomielitit.
“Dy raunde të fushatave të vaksinimit ndaj poliomielitit duhet të fillojnë në fund të gushtit dhe të vazhdojnë deri në shtator 2024 në të gjithë Rripin e Gazës për të parandaluar përhapjen e variantit që qarkullon aktualisht”, tha OBSH dhe UNICEF. /abcnews