Rugova, pavarësisht gabimeve, mbetet një ndër liderët që e vendosi pavarësinë e Kosovës, që sot e gëzojnë të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, e që mund të shërbejë si shembull për popujt që luftojnë për liri dhe pavarësi.
Selim IBRAIMI, Uashington
Dr. Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, ishte një personalitet i shquar, jeta dhe trashëgimia e të cilit kanë ndikuar thellësisht në peizazhin politik të Ballkanit dhe të botës shqiptare. Rugova u lind në vitin 1944 në fshatin Cërcë të Istogut. Jeta e hershme e Rugovës u shënua nga trazirat politike dhe sociale që e karakterizuan epokën pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos Kosovën nën sundimin serbo-jugosllav. Si foshnjë, Rugova mbeti pa baba, pasi – sipas burimeve shqiptare – ai u pushkatua nga forcat ushtarake serbe. Gjithë pesha për ta mbajtur familjen i mbeti nënës së Rugovës. Pavarësisht sfidave personale e familjare, Rugova u shfaq si një intelektual dhe studiues, ndërsa më vonë si udhëheqësi kryesor i projektit për pavarësinë e Kosovës dhe më gjerë. Rugovën, figurën ikonë të luftës paqësore të Kosovës, e shohim të vendosur në këtë rrugë jo aq të lehtë. Pavarësisht sfidave të brendshme e të jashtme, ai la gjurmë në këtë mision që pa të nuk do të mund të mbyllej projekti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Roli i Rugovës në aspiratat e shqiptarëve në Ballkan
Për më shumë, duhet pranuar se misioni për të shkruar për presidentin historik të Kosovës Ibrahim Rugovën, mund të konsiderohet i vështirë, për shkak të rolit që ai pati para dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Por, si gazetar i ri gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, mund të them diçka nga perspektiva se si LDK-ja dhe politika paqësore e presidentit Ibrahim Rugova, në kontekstin e luftës për pavarësi të shqiptarëve në Kosovë, pati ndikim në lëvizjen politike të shqiptarëve në IRJM, tani Republika e Maqedonisë së Veriut. Roli i Ibrahim Rugovës në lëvizjen për pavarësinë e Kosovës u shtri edhe tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, pasi ata u ndeshën me rreziqe të identitetit të tyre. Aspiratat kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në fillim ishin pothuajse të njëjta me të Kosovës, pasi presioni i qeverisë maqedonase dhe eksperimentet e Shkupit nuk ishin ndërprerë që nga viti 1945. Ibrahim Rugova, me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ndan histori që daton aty para 1990-tës. Historia ndoshta është pak më e ndërlikuar, për shkak se Kosova duhej të kishte prioritet para gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni të Veriut dhe atyre në ish-hapësirën jugosllave. Disa zyrtarë të PPD-së dhe PPDSH-së atëherë ishin të pakënaqur me qëndrimin e Rugovës. Por, opsion tjetër nuk kishte. LDK-ja dhe Rugova e vazhduan luftën për pavarësi, duke alarmuar SHBA-në dhe Europën për gjendjen e shqiptarëve nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Ndërkaq, në Maqedoni të Veriut, pas vitit 1991 e deri në 1993, lufta për të drejta disi vazhdoi e varur nga Prishtina zyrtare deri në përçarjen e PPD-së, ku me ardhjen në krye të kësaj partie të krahut ish-komunist, të lidhur ngushtë me Kiro Gligorovin, çështja shqiptare në Maqedoni të Veriut do të ndërlikohet deri në fillimin e konfliktit në vitin 2001 dhe më pas. LDK-ja dhe Rugova synonin që shqiptarët në Maqedoni të Veriut t’i fitojnë të drejtat në kuadër të sistemit maqedonas, si shtetformues. Një ide politike që asnjëherë nuk u realizua, por në fakt pati efekt në Prishtinë, duke e mbajtur Kosovën si temë qendrore në Ballkan dhe në botë. Si figurë shumëdimensionale, me rëndësi për lexuesin shqiptar në Maqedoni të Veriut është të veçojmë përsëri disa relacione të politikave të LDK-së dhe PPD-së së kryesuar më vonë nga kryetari Abdurrahman Aliti, për fundosjen e nismës së autonomisë së shqiptarëve në Maqedoni të Veriut jo vetëm nga jashtë, por nga vetë partitë e kohës dhe njerëzit e sigurimit që ishin infiltruar në PPD. LDK-ja dhe Rugova, në këtë kontekst, nuk kishin çfarë të bënin më shumë. Pasi politika maqedonase ishte bërë më e fortë krahasuar me ndikimin e Kosovës tek shqiptarët në Maqedoni të Veriut. Pas vitit 1993, politikanët e rinj shqiptarë në Maqedoni të Veriut, shtypi në gjuhën shqipe dhe, pas largimit të kryetarit të PPD-së, Nevzat Halili, më shumë e dëgjonin Shkupin se sa Rugovën. Bazat e pavarësisë së Kosovës, të vendosura nga viti 1989 e deri në fillimin e luftës në vitin 1998, natyrisht përveç popullit të Kosovës, mund t’i atribuohen presidentit Ibrahim Rugova, UÇK-së, mërgatës shqiptare në Perëndim, Slloveni, Kroaci, shqiptarëve në Ballkan etj etj. Më tej Rugova e kishte qytetin e Shkupit si lidhjen kryesore me Perëndimin.
Lufta e brendshme politike në Kosovë
Përderisa lideri historik, Rugova, mundohej t’ia përcillte botës gjendjen e rëndë në Kosovë dhe jetën institucionale paralele, grupe të caktuara të rezistencës kosovare, që më vonë do të transformoheshin në UÇK, e vazhdonin veprimtarinë në terren. Grupet e brendshme të rezistencës në Kosovë nuk ishin të interesuara për luftë të brendshme shqiptare. Grupi politik, që qëndronte jashtë Kosovës me fonde financiare nga mërgata shqiptare, sipas kronistëve të kohës, po krijonte përçarje të madhe në lëvizjen për pavarësi dhe në organizimin ushtarak të Kosovës. Grupi përgjegjës për fondin “Vendlindja Thërret” dhe ai i udhëhequr nga Bujar Bukoshi me Fondin “3 %”, ishin nismëtarët e prishjes së balancës politike e ushtarake në Kosovë e që më vonë do të ndikonte në përçarjen politike aty para Konferencës së Rambujesë, dhe pas vitit 1999, kur Kosova filloi të administrohej nga UNMIK-u dhe NATO-ja. Urrejtja ndaj presidentit të LDK-së dhe të Kosovës do të vazhdojë edhe pas organizimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, si dhe me atentatin kundër tij në Prishtinë. Disa bashkëpunëtorë të ngushtë të Rugovës e nismëtarë të pavarësisë, u vranë në mënyrë misterioze. Autorët e atentateve nuk u gjetën as nga autoritetet ndërkombëtare e as nga ato kosovare. Rugova, pa hyrë në detajet e përpjekjeve të tij për të bashkëpunuar me PDK-në, AAK-në dhe partitë e tjera të dala pas luftës, vazhdoi ta përfaqësojë Kosovën shumë mirë deri në njoftimin për sëmundjen e rëndë që e kishte përfshirë. Në fund, jashtë kontekstit shqiptar, mund të themi se Rugova gëzonte një respekt të madh në SHBA dhe në kancelaritë e Europës. Stili i të folurit dhe qëndrimi i Rugovës ndaj çështjeve të hapura në Ballkan nuk mund të anashkaloheshin lehtë nga Perëndimi. Një moment tjetër që duhet veçuar para se të fillonte lufta në Kosovë, ishte përkeqësimi i raporteve me Sali Berishën, i cili në vitin 1996 insistonte që Kosova të merrte pjesë në zgjedhjet që organizoheshin në Serbi, ku lideri opozitarë serb Vuk Drashkoviq bënte thirrje që edhe Kosova të bëhej pjesë e shembjes së regjimit të Millosheviqit. Këtë ofertë të Berishës Rugova e refuzoi, ndërsa akuzat e Berishës kundër politikës së Rugovës mbetën një shenjë e zezë në marrëdhëniet mes dy liderëve. Ka edhe momente të tjera që nuk mund t’i përfshijmë në një material, por pasi Rugova ndërroi jetë në janar të vitit 2006 dhe Kosova tashmë, pavarësisht vështirësive me Serbinë dhe Perëndimin, është bërë e pavarur, është e rrugës që në marrëdhëniet ndërkombëtare, kabinetet qeveritare ta bëjnë pjesë të politikës kosovare, filozofinë politike të Rugovës. Në fund, kur Rugova është tretur, shumë mbështetës të tij nuk mund ta harrojnë atë, ndërsa disa kundërshtarë të tij vazhdojnë të thonë fjalë jo të mira ndaj tij. Rugova, pavarësisht gabimeve, mbetet një ndër liderët që e vendosi pavarësinë e Kosovës, që sot e gëzojnë të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, e që mund të shërbejë si shembull për popujt që luftojnë për liri dhe pavarësi. Ibrahim Rugova, arkitekti paqësor i pavarësisë së Kosovës, që nga vdekja e tij në vitin 2006, në kohën që po kalon Kosova, bëhet më se i domosdoshëm që idetë e tij politike, mundësisht e varësisht nga situatat ndërkombëtare, të përdoren nga politika dhe diplomacia kosovare. Lirisht mund të themi se Rugova kishte më shumë autoritet sesa politikanët e sotshëm të Kosovës. Ai do të mbetet figura politike që nuk mund të zëvendësohet aq lehtë në Kosovë. /revistashenja