Ç’kuptim ka e diela pa pak ëmbëlsi? Sot ju propozojmë cheesecake me limon. Do të lëpini gishtat kur ta provoni.
PËRBËRËSIT: 300 g biskota, 150 g gjalpë pa kripë, 500 g krem djathi (Philadelfia), 100 g sheqer pluhur, 300 ml panna për ëmbëlsirë, 75 ml lëng limoni(2-3 kokrra limon).
PËRGATITJA: Shtypim biskotat derisa të bëhen pluhur. Shtojmë gjalpin e shkrirë dhe i përziejmë bashkë. Masën e shtrojmë në formën ku do të bëjmë cheescake-un dhe e ngjeshim sa më mirë me dorë. Në një tas rrahim kremin e djathit me sheqerin pluhur. Shtojmë panna-n dhe vazhdojmë ta rrahim deri sa masa të trashet. Më pas shtojmë lëngun e limonit dhe e përziejmë vazhdimisht. Kontrollojeni herë pas here konsistencën sepse kur masa rrihet më tepër seç duhet fillon dhe lëshohet. Ne duam një masë të trashë. E hedhim këtë përzierje mbi biskota dhe e përhapim në mënyrë të njëtrajtshme E fusim në frigorifer për 5-6 orë. Për dekorim kam përdorur fruta pylli, mente si dhe lajthi të pjekura të thërmuara. Frutat e pyllit dhe mentja kombinohet shumë mirë me shijen e limonit. Lajthitë i shtojnë pak atë pjesën krokante që ëmbëlsira mos të jetë monotone.