hkencëtarët kanë zbuluar një rinoceront të ngrirë në akullnajat ruse për më shumë se 32.000 vite dhe lëkura e gëzofi i tij janë ende në gjendje të mirë, i paprekur nga dekompozimi apo faktorët natyrorë.
Rinoceronti me gëzof ka ngordhur kur ishte 4 vjeç dhe mosha, bashkë me ruajtjen e mirë të tij, u ka mundësuar shkencëtarëve që të mësojnë më shumë për këtë specie tashmë të zhdukur.
“Pjesa më e madhe e fosileve nga kafshët e Epokës së Akullnajave janë dhëmbë e kocka pa lëkurë apo mish”, tha profesori Love Dalén nga Universiteti i Stokholmit, i cili ka studiuar kafshë të gjetura nën akullin siberian.
“Mund të jetë 1 në 10.000 rasti kur has diçka të tillë. Thënë kjo, ka shumë raste mostrash që dalin çdo vit nga akullnaja ndaj duket se kjo ndodh thuajse çdo vit”.
Zbulimet e këtij studimi janë detajuar në një artikull të publikuar në Doklady Earth Sciences dhe tregojnë se rinoceronti kishte një gungë yndyrore në kurriz, ndërsa gëzofi kishte ndryshuar ngjyrë gjatë rritjes.
Kur ai endej në Siberinë lindore më shumë se 30.000 vite më parë, duhet të ketë qenë “një prej bimëngrënësve më të mëdhenj të ekosistemit të Epokës së Akullnajave, pas mamuthit” dhe shëtiste në lëndina.
Njësoj si pasardhësit e tij, rinoceronti i lashtë kishte dy brirë por njëri prej tyre ishte “shumë i madh, në trajtë tehu që është shumë unike”, shton Dalén, krahasuar me brirët më rrumbullakë të rinocerontit të sotëm.
Gjetje të tilla janë shumë të rëndësishme për zbulimet e së ardhmes pasi mund të kryhen teste gjenetike duke përdorur indet dhe jo kockat.