Paleontologët kanë zbuluar një lloj të ri peshku në Australi të ruajtur aq mirë saqë mund të përcaktohej edhe se çfarë kishte ngrënë për herë të fundit. Fosili daton rreth 16 milionë vjet më parë, në epokën e Miocenit.
Shkencëtarët e gjetën peshkun, e quajtur Ferruaspis brocksi në New South Wales, sipas një studimi të publikuar në Journal of Vertebrate Paleontology.
Në vendgërmim u gjetën shumë fosile të këtij lloji të mbështjellë në një mineral të pasur me hekur që i ka ruajtur më së miri. Ky proces i rrallë fosilizimi lejon shkencëtarët të ekzaminojnë tiparet strukturore si indet, stomaku dhe ngjyra.

“Çdo herë që shoh në mënyrë të detajuar një fosil nga McGraths Flat, mrekullohem nga ruajtja e tij. Është shumë e habitshme dhe e rrallë të dallosh ngjyrën e një fosili peshku si ky”, tha bashkautori i studimit, Michael Frese.
Përveç identifikimit të këtij lloji të ri, shkencëtarët zbuluan provën e parë për Osmeriformes, një grup peshqish të vegjël në Australi.
Deri më tani, shkencëtarët mundeshin vetëm të hamendësonin për kohën e mbërritjes së tyre në kontinent, por ky zbulim shaplos të dhëna të reja për ekosistemin e lashtë të rajonit.
Mikroskopët e fuqishëm treguan çfarë ndodhej në stomakun dhe zorrët e peshqve nga ku rezultoi se ata ushqeheshin me larva, krahë insektesh dhe molusk.
Kjo ndihmoi shkencëtarët të përcaktornin edhe se kur ushqeheshin. Larvat që ishin ushqimi i këtyre peshqve shpesh përpiqeshin të shmangnin grabitqarët duke u fshehur në sedimente. Kjo do të thotë se F. Brockski gjuante natën.

New South Wales sot ka një tjetër reliev, por gjatë Miocenit, rrethohej nga pyje të dendura. Zbulimi i fosileve tregon se ndryshe nga Osmeriformes që mbijetuan, ky lloj mund të ketë kaluar gjithë jetën e vet në lumë.