Femra, e bukura e saj estetike si formë duket në pjesën e saj si formë e paekspozuar, meqë ruan dëshirën e tjetrit në trajtën e enigmës, kur ajo është në pjesën e pazbuluar. Pra, bukuria e femrës është kurtoazi, një bukuri e nemur, siç do ta quante Bodëleri dhe bukuri sublime që shkakton fatkeqësi, tërmet e tragjedi, siç e quan Drini. Pra, askund në letërsinë botërore nuk e kemi të trajtuar bukurinë e femrës si te Drini e Bodëleri, dy autorë që të bukurën e shohin në dy koncepte: figura e gruas dualiste del te këta dy autorë, e bukura e saj engjëllore dhe e bukura e saj djallëzore. Sigurisht se të dy këta shkrimtarë kanë historinë e tyre të rrëfimit e të tregimit për gruan, bukurinë e dashurinë, vetëm që dallimi elementar te këta dy shkrimtarë ëshët trajta e rrëfimit, te Bodëleri e kemi vargun poetik, te Drini vargun prozaik, pra bota e femrës në roman.
Bukuria e madhe femërore është surprizë. Është diçka që shihet dhe fshihet, që fshihet dhe
shihet…Nuk mund të ketë një bukuri të ekspozuar. Si i mendoni arabët e lashtë? Budallenj dhe fanatikë që i mbulonin gratë? Nuk e bënin këtë as për moral, as për fanatizëm, por sepse, kur zhvishej femra në shtrat, donin një bukuri surprizë! Sepse edhe një femër jo fort të bukur, që e ke parë të mbuluar tërë ditën, të duket e bukur kur e zbulon. Këtë mos e ngatërroni me mbulimin e femrës sot, sepse është thjesht një fetarizëm! Bukuria e madhe sublime është efemere. Gënjehesh duke menduar që e sheh gjatë atë. Ajo është shuar, njëlloj si drita e yjeve të vdekur, që vazhdojmë t’i shohim edhe pas vdekjes së tyre. Kjo të
shtyn të mendosh që bukuria e madhe femërore zgjat një të përplasur qerpiku, kaq. E ke rrokur në atë të përplasur qerpiku, e ke rrokur për tërë jetën, sepse është një shkrepëtimë që të ngulet në tru! Nuk e rroke, mos u lodh, sepse nuk mund ta rrokësh gjithë jetën!
Miss bukuria kudo që të bëhet dhe sido që të quhet nuk është tjetër përveç një mashtrim i madh.
Miss bukuria është ankandi i femrës.
Bukuria e madhe femërore e di kur duhet të vdesë. Mos u mundo më kot t’i bësh një zgjatim kozmetik i jetës!
Bukuria e madhe femërore kërkon butësi. Nuk mund të gjendet në Antarktidë.
Bukuria e madhe ka nevojë për dinamikë, prandaj është gati ta pranojë atë përpëlitje qerpiku deri në vetasgjësim. Kjo është arsyeja që nuk mund të jetë e vërtetë as në fotografim, por as e gdhendur në mermer.
Nga: Prof. Fitim Veliu