Ballina Lajmet Rajon dhe Botë I mbijetuari i rrëzimit të avionit të Azerbajxhanit: Pati një shpërthim kur...

I mbijetuari i rrëzimit të avionit të Azerbajxhanit: Pati një shpërthim kur avioni tentoi të ulej në Çeçeni

Një i mbijetuar nga rrëzimi i avionit të kompanisë “Azerbaijan Airlines” të mërkurën tha se pilotët e avionit u përpoqën të uleshin në Grozny të Çeçenisë tri herë, pasuar nga një shpërthim jashtë avionit, sipas një audio-regjistrimi të shpërndarë nga kanali televiziv rus RT, transmeton Anadolu.

I mbijetuari Subkhankul Rahimov tha se “diçka shpërtheu” në përpjekjen e tretë të uljes dhe se kur ka marrë jelekun e shpëtimit, ka vërejtur një vrimë në të, të shkaktuar nga një shrapnel.

Ai ka thënë gjithashtu se pas shpërthimit është goditur nga një shrapnel.

Rahimov ka treguar përpjekjet e shumta për uljen e avionit duke thënë: “Avioni ishte në rrugën për në ulje dhe më pas, befas, filloi të ngrihej. Në këtë moment u zgjova dhe kuptova se avioni nuk ishte në gjendje të ulej në përpjekjen e tij të parë. Më pas u ngrit mbi re, më poshtë kishte mjegull të fortë, avioni u kthye dhe u përpoq të ulej për herë të dytë”.

“Sipas llogaritjes time, ka pasur dy përpjekje. Herën e tretë, diçka shpërtheu. Pati një shpërthim”.

I pyetur nëse shpërthimi ka ndodhur brenda avionit, Rahimov ka thënë se ishte jashtë dhe shqeu një pjesë të mbulesës së avionit.

“Ekspertët, specialistët do të japin vlerësimet e tyre, por kishte një shpërthim. Kishte shpërthim me siguri. Të gjithë e dëgjuan shpërthimin. Unë e mora jelekun e shpëtimit. Mendova më vete se nuk e di se ku do të uleshim, më mirë të merrja jelekun. E mora dhe pashë një vrimë në të, të shkaktuar nga një shrapnel”, thotë Rahimov.

Ai ka thënë se pas shpërthimit, shrapneli i ka kaluar nga këmbët dhe nëpër jelekun e shpëtimit dhe se madje ka bërë edhe një foto të kësaj. “Specialistët duhet ta zgjidhin atë, të nxjerrin përfundime, të vendosin se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ai.

E dashura e Zaur Mammadovit, një i mbijetuar, ka ndarë gjithashtu mesazhe me tekst nga koha e përplasjes me gazetën ruse “Readovka”.

Në tekste thuhej se avioni po ulej dhe se pas aksidentit, ai kishte shpëtuar. Zaur është dërguar në spital me plagë të shkallës së panjohur. Transporti i tij për në Rusi aktualisht është duke u zgjidhur.

“Zauri është i mbuluar me mavijosje, por i vetëdijshëm”, ka thënë e dashura e tij.

Duke folur për RT, Mammadov ka deklaruar se “pasagjerët po prisnin vdekjen e tyre” dhe më pas avioni filloi të binte dhe “kjo është e gjitha, gjysma e avionit u copëtua”.

Ndryshe, një avion i “Azerbaijan Airlines” me 67 persona në bord – 62 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit – që po udhëtonte nga Baku për në Grozny u rrëzua të mërkurën pranë qytetit të Kazakistanit, Aktau.

Sipas autoriteteve të Kazakistanit, 38 persona kanë humbur jetën në aksident ndërsa 29 kanë mbijetuar.

Për shkak të aksidentit, 26 dhjetori u shpall ditë zie kombëtare në Azerbajxhan.

Exit mobile version