I kohës së tij si njeri. I të gjitha kohërave, si shkrimtar.

Irena MYZEQARI

Në veprat e tij përplasen dhimbshur tri dimensionet e kohës, koordinatat dhe horizontet gjeografike, e vetëdijshmja dhe e pavetëdijshmja, e mira dhe e keqja, paragjykimet dhe idealet shoqërore, vetë njeriu përplaset me veten dhe në fund, si veçori e veprës së tij, Kadareja le çdo gjë të hapur, sepse ai e konceptonte veprën si një tërësi në ndërtim dhe në përsosje të pandërprerë.

Shkruan: Irena MYZEQARI, Tiranë

# Universi Kadarean

Universi letrar i Ismail Kadarëse përbën pa diskutim një kulm letrar, i gjithëpranuar jo vetëm në vendet ku flitet, shkruhet dhe krijohet shqip por edhe në elitat e letërsisë europiane dhe ato botërore. Si shkrimtar, ai ishte i vetëdijshëm për pasurinë e prejardhjes dhe në veprën e tij “Autobigrafia e popullit në vargje”, botuar në vitin 2002, duke folur për folklorin shqiptar, ai pohon se “autoritetet shkencore botërore e kanë pranuar prej kohësh vlerën e kësaj letërsie dhe ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se bëjmë pjesë në një nga zonat më të vjetra epike të njerëzimit, duke qenë kështu autorë dhe bashkautorë në disa nga thesaret më të çmuara artistike që janë krijuar në këtë planet”. Ndoshta, pavetëdijshëm, ai ishte i bindur se e gjithë kjo trashëgimi do të ishte patjetër pjesë edhe e gjenialitetit të tij.

Krijimtaria e tij dallon për shtrirjen kohore, gjeografike dhe sociolologjike. Vetë Kadareja, shpreh bindjen se “gërshetimi i kohërave, i hapësirave, fateve të ndryshme njerëzore, historive, gjeografive, e bën letërsinë një organizëm të gjallë, që i përgjigjet jetës njerëzore, Ndaj, galeria e personazheve, e vendeve, e ambienteve, e lidhjeve që gëlojnë mes faqeve të librave te tij, mbeten pa diskutim një ndalesë e rëndësishme për këdo që takohet me kanonin e tij, qoftë si lexues apo qëmtues shkencor.

Në veprat e tij përplasen dhimbshur tri dimensionet e kohës, koordinatat dhe horizontet gjeografike, e vetëdijshmja dhe e pavetëdijshmja, e mira dhe e keqja, paragjykimet dhe idealet shoqërore, vetë njeriu përplaset me veten dhe në fund, si veçori e veprës së tij, Kadareja le çdo gjë të hapur, sepse ai e konceptonte veprën si një tërësi në ndërtim dhe në përsosje të pandërprerë.

Të gjesh një përcaktor për Isin është vështirë. Të ndarë midis njeriut dhe shkrimtarit, studiues të kritikës, personalitete letrare ose jo, përkthyes të veprës së tij brenda dhe jashtë vendit, mundohen të rrekin thelbin e këtij shkrimtari, por ajo me të cilën hasen më shpesh është ambiguiteti dhe kompleksiteti, i cili shfaqet në çdo faqe të veprës së tij. Përcaktuesi që mund t’i afrohet më shumë, gjendet nëpër rreshtat e “Kronikë në Gur”, ku ai shkruan për Gjirokastrën, qytetin e tij të lindjes e ndoshta midis atyre sokakëve, mund të ndjejmë një shije të shpirtit të tij:

Ishte një qytet i çuditshëm dhe dukej sikur kish dalë në luginë një natë dimri si një qenie prehistorike, i cili po zvarritej rrëzë malit. Çdo gjë në këtë qytet ishte e vjetër dhe e bërë prej guri, rrugët e gjer burimet e çative të mbuluara me tulla gri që i ngjajnë shkallëve gjigande. Ishte e vështirë të besoje se nën këtë koracë të fuqishme të kish jetë dhe rilindje”( fq.11)

Është pikërisht ky dimension ikës i Kadaresë që haset edhe tek karakteret që ai krijon, të cilët janë sa të afërt, aq edhe të kuptueshëm dhe të prekshëm, po aq edhe të largët dhe të pakapshëm konceptualisht mbeten. Adrian Guma, heroi te “Nëntori i një kryeqyteti” të mbetet gjatë në mendje, jo veç si personazh, por veçanërisht për këmbënguljen e tij për të për qenë i kohës, të paktën i kohës së tij. Paralelisht me të, Kadareja është materialisht i së shkuarës sonë, por do të mbetet, për shkak të veprës së tij, e tashmja e të ardhmeve që do të vijnë; ai vetëm i kohës së tij nuk ishte, ishte i kohës së veprës. Ai ka vdekur, ama jetesa e tij fizike i intereson pak kujt, për aq kohë sa ekzistenca e tij legjitimohet nga syri i përjetshëm i lexuesit.

… #në shenjestër të leximeve identitare

Për shkak të dimensioneve dhe origjinalitetit që mbart vepra e Ismail Kadaresë, ajo ka qenë shpesh herë terren në të cilën janë zhvilluar një sërë debatesh teorike, jo vetëm të natyrës letrare, por edhe qasjeve të tjera shkencore. Mund të përmendim këtu koncepte të tilla si nacionalizmi, tjetri, hapësirat, mitet, identitetet etj. Arsyet se pse vepra e tij është kaq e mikluar, për studiuesin e shkencave politike, Enis Sulstarova, lidhet me faktin se “Kadareja, në dallim nga shumë shkrimtarë të tjerë të realizmit socialist, ka arritur që të krijojë një letërsi identitare për shqiptarët sepse ka zgjedhur për të trajtuar si subjekte çaste krizash në prag shndërrimesh rrënjësore të historisë së shqiptarëve”.

Po në këtë linjë qëndron edhe pohimi i Robert Elsie, i cili thotë se “veprat e Kadaresë kanë qenë pasqyrimi i përpiktë i peripecive të jetës politike shqiptare” dhe për këtë arsye mbetet një portë e artë për t’iu qasur dramës së shqiptarit dhe shqiptarisë. Vlen këtu të sjellim ndërmend diptikun “Dimri i Vetmisë së Madhe”, një vepër e cila u ndoq dhe u përplotësua nga libri “Koncert në fund të dimrit” ose vepra “Vajza e Agamemnonit”, e cila u pasua nga romani “Pasardhësi. Për Eric Faye-n, studiues dhe kritik i Kadaresë, kjo gjë i jep shkrimtarit mundësinë e një ambiguiteti, për të paraqitur në të njëjtën kohë dy situata të ndryshme, duke bërë kështu edhe më thellë radiologjinë e shoqërisë shqiptare.

Nën këto lente kërkimore, studiuesja Viola Isufaj analizon rikthimin e miteve te veprat e tij, ndërkohë Ke Jing rreket të analizojë identitetin kombëtar të shqiptarëve në bazë të teksteve të këtij autori, duke e parë tjetrin në këtë univers, si ndërtues të identitetit të shqiptareve nga një anë dhe ilustron se si letërsia përdoret si një mjet për t’i bërë njerëzit të besojnë se çfarë është apo nuk është kombi i tyre, nga ana tjetër.

Rëndësia dhe influenca e Kadaresë në ligjërimin publik ka qenë dhe do të mbetet element debati dhe qëndrimesh kontradiktore, kjo në saje të tematikave kontroverse dhe provokuese që ai sillte gjithmonë në vëmendje. Shqetësimet që sundojnë letërsinë e tij e shtyjnë të trajtojë probleme shqetësuese të rënda si marrëdhëniet midis individit dhe pushtetit, fati si forcë e pashmangshme dhe e panjohur dhe debati i përjetshëm në kërkim të lumturisë personale; veprimi i aparateve të mëdha shtetërore mbi njerëzit, përfshirë dhe pjesët e tyre përbërëse ideologjitë dhe utopitë, pa ndalur asnjëherë luftën e tij për gjetjen e kuptimit të ekzistencës njerëzore dhe kryqëzimit të saj me kohën.

…#një dritare për të kërkuar për të kërkuar gruan

Universi Kaderean është fillim për të kuptuar tipologjitë njerëzore. Aty ndeshen të pamundurat, kontekstet ekzistuese dhe ato të paqena historike, të gjitha në funksion të një qëllimi, ravijëzimit të një heroi ose heroine, edhe pse kjo e dyta ndodh shumë pak ose aspak. Nëse do t’i referohemi analizës së tipologjisë së gruas shqiptare, tek Kadareja mund t’i gjejmë të gjitha tipet; ai nuk ka një ideal tip, ai është gjithmonë në eksplorim të potencialit që mund ti ofrojë personazhi. Sociologjikisht, gratë tek Kadareja ravijëzohen si të lidhura përjetësisht me privaten politike. Ato janë nderi i kombit, i mëhallës, i kështjellës. Ato mbajnë gjallë normat e jetës, kodet e pashkruara, ligjet që vijnë nga e shkuara, çka faktohet edhe me ligjërimin e tyre të mbushur plot me gjuhë emocionale.

Tek Kadareja mund të gjurmohen lehtazi të gjitha fazat e jetës së një gruaje; të qenit vajzë; të bërit nuse; të bërit nënë e grua dhe të bërit plakë. Vajza sociologjike na ravijëzohet tipikisht si fëmijë, e parritur që nuk merr vesh nga asgjë si Stela e Gjonit; nusja sociologjike na vjen përmes kohërave me duvakun e saj si simbol i pengesave për të bërë zgjedhjet individuale dhe bëhet grua me anë të përligjjes së seksualitetit e, në fund, bëhet plakë si plakat e jetës tek Kronikë në Gur; ato janë identiteti i Gjirokastrës, qytet i cili nuk mund të kuptohet pa plakat e jetës, të cilat luajnë rolin e Orakujve dhe Arkivave të së shkuarës.

Mëgjithë përpjekjet e Ismail Kadaresë për të krijuar heroina, përpjekje të cilat përfaqësohen me Marianën tek Natë me hënë apo me Plakën Nice, rezulton se Kadareja nuk ka arritur të shterojë të gjithë potencialin nga karakteret e tij femërore. Duke lidhur tragjedinë ose fatin e tyre veçse me seksualitetin, ai i ka zhveshur ato nga shumë vlera të tjera. Përqendrimi tek trupi dhe jo tek mendësia është ajo që i ka limituar këto personazhe nga të dhënit një dimension krejt tjetër. Femërorja tek Kadareja është grua, është dashnore, është bijë dhe nënë, ajo vjen para lexuesit me të gjitha dobësitë dhe fuqitë e saj, e gatshme të jetë vetëm një pjesë e të gjithës, por pa arritur të jetë pjesë komplementare e jetës së heroit.

Nëse në fillim thamë se tek vepra e Kadaresë mund të gjejmë tipologjitë, kur bie fjala për gruan, aty gjejmë veçse një tip dhe veçse një model. Gruaja, si politikisht, si sociologjikisht, fiton relevancë veçse me një nga funksionet e saj gjinore dhe Kadareja, në të gjithë kanonin e tij letrar, nuk ka bërë tjetër, vetëm se i ka përmbushur pritshmëritë sociale se si duhet të sillet një grua në të gjitha stadet e zhvillimit të saj. Kadareja, duke mbivlerësuar seksin tek femërorja dhe tek gruaja, e zhvesh atë nga çdo funksion i jetës publike. Personazhet gra jetojnë të strukura në botën e tyre private, pa pasur mundësi të ndikojnë tek publikja. Ato janë jashtë çdo drame politike, madje vetë personazhet dhe heronjtë burra ushqejnë dhe ndërtojnë një ligjërim kur gratë janë të paafta të mësojnë ose të kuptojnë diçka për punët e shtetit.

Duke i veshur një gjuhë të pakët dhe të varfër si në shprehi, si në strukturë ashtu edhe në tematikë, ai krijon tek lexuesi një identitet femëror, i cili nuk prodhon ose prodhon shumë pak brenda ngjarjes. Për ta thënë më saktë nuk prodhon asgjë përtej asaj çka bie brenda fuqisë së trupit të saj semiotik, i cili është seksualisht i fuqishëm, por ama sociologjikisht dhe politikisht i parëndësishëm. Kadareja interesohet për femrën dhe shumë pak për gruan dhe, si rrjedhojë, ai përpiqet më shumë ta ruajë statusin e mashkullores dhe burrit të pacenuar në koston e një gruaje të dobët dhe që nuk përçon mesazhe të fuqishme letrare.

#Epilog

Në datë 1 korrik Kadare iku. Iku njeriu, se shkrimtari do të mbetet gjithmonë. Tash neve na ka mbetur koha tjetër për ta gjykuar, njeriun që ishte apo shkrimtarin që arriti të bëhej. Dhe, në këtë momentum rrjedhin natyrshëm vargjet e Rumit:

Përtej të mirës dhe të keqes, është një fushë, le të takohemi aty.

Kështu do ishte më mirë të takoheshim edhe me Kadarenë, si e vetmja mënyrë për t’ia falur mëkatet e njeriut dhe lëvduar gjenialitetin e një mjeshtri të fjalës, që bëri 45 gjuhë të botës të flisnin për Shqipërinë.