Ballina Lajmet Rajon dhe Botë I dërguari rus: Moska angazhon Ankaranë për të ardhmen e Sirisë pas...

I dërguari rus: Moska angazhon Ankaranë për të ardhmen e Sirisë pas rrëzimit të Asadit

Konsulli i përgjithshëm i Rusisë në Istanbul, Andrey Buravov

Konsulli i përgjithshëm i Rusisë në Istanbul, Andrey Buravov, ka deklaruar se Moska po mban kontakte me Ankaranë për të diskutuar të ardhmen e Sirisë pas rënies së regjimit të Bashar Asadit, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media të fundvitit, diplomati rus theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis vendeve, duke marrë parasysh lidhjet e tyre të gjata me Sirinë.

“Ne po diskutojmë se çfarë mund të bëhet në këto rrethana të reja, duke marrë parasysh miqësinë tonë tradicionale me Sirinë dhe popullin e saj”, tha Buravov.

Ai gjithashtu kujtoi angazhimet e mëparshme dypalëshe dhe shumëpalëshe midis Ankarasë dhe Moskës që synonin normalizimin e situatës në Siri.

“Kontaktet mes vendeve tona vazhdojnë në formate të ndryshme në kushte të reja. Gjatë këtyre angazhimeve zhvillohen konsultime për mbrojtjen e interesave tona kombëtare, si dhe zhvillohen edhe diskutime ndërkombëtare në nivele të ndryshme”, tha Buravov.

Buravov gjithashtu theksoi përpjekjet për të siguruar që “interesat e dy vendeve të mos përplasen”, duke shtuar se kjo është diçka për të cilën ata po punojnë dhe do të vazhdojnë ta trajtojnë.

Duke theksuar lidhjet e forta dypalëshe të ndërtuara mbi bashkëpunimin afatgjatë solid, Buraavov tha se, “Si vende fqinje, ne të gjithë ndajmë aspiratën e përbashkët që Siria të jetë demokratike, ekonomikisht e fuqishme dhe jo kërcënuese për fqinjët e saj”.

– Adresimi i periudhës tranzitore të Sirisë

Diplomati rus përsëriti mbështetjen e Moskës për sovranitetin e Sirisë, duke u kërkuar vendeve fqinje të veprojnë me përgjegjësi, veçanërisht në dritën e sulmeve të fundit izraelite.

“Ne u bëjmë thirrje vendeve fqinje që të përmbahen nga veprimet që mund të kërcënojnë integritetin territorial të Sirisë”, shtoi ai.

Siç tha ai, e ardhmja e bazave ushtarake ruse në Siri mbetet e pasigurt. Ai shtoi se po vazhdojnë diskutimet me “forcat që kontrollojnë Damaskun dhe përfaqësuesit e një qeverie të përkohshme”.

“Një nga temat e diskutuara është statusi i objekteve dhe bazave tona. Fati i tyre do të përcaktohet në bazë të ecurisë së këtyre bisedimeve”, theksoi Buravov.

Bashar Asadi, lideri i Sirisë për pothuajse 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit më 8 dhjetor morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.

– Mekanizmat për të minimizuar ndikimin negativ tregtar

Më tej, Buravov gjithashtu theksoi se lidhjet midis Türkiyes dhe Rusisë po zhvillohen në mënyrë aktive, me dialog të rregullt të drejtpërdrejtë dhe përmes telefonit midis liderëve të tyre dhe shefave të diplomacisë.

Ai bëri të ditur se më shumë se 6 milionë qytetarë rusë vizituan Türkiyen vitin e kaluar, duke i vendosur rusët ndër vizitorët kryesor të vendit.

“Mes presionit në rritje të sanksioneve nga SHBA-ja dhe vendet e BE-së, po zhvillohen mekanizma logjistik dhe financiar për të lehtësuar transaksionet tregtare midis vendeve tona dhe po ndërmerren hapa për të minimizuar ndikimin negativ në marrëdhëniet dypalëshe”, theksoi Buravov.

BE-ja vendosi një seri sanksionesh ndaj Rusisë në përgjigje të pushtimit të Ukrainës në muajin shkurt të vitit 2022, e cila shënoi një fazë të re në konfliktin Rusi-Ukrainë që tashmë kishte filluar në vitin 2014.

Këto sanksione kanë çuar në një rënie të mprehtë të tregtisë dypalëshe ndërmjet dy rajoneve.

Exit mobile version