I dërguari i SHBA-së: Pengu amerikan do të lirohet nga Gaza nesër

Steve Witkoff, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, ka bërë të ditur se një peng amerikan do të lirohet nga Gaza gjatë ditës së nesërme, transmeton Anadolu.

“Ne jemi drejt fundit, një do të dalë nesër”, tha Witkoff në përgjigje të pyetjes nga gazetarët në lidhje me përpjekjet për të kthyer pengjet izraelite që mbajnë nënshtetësi amerikane.

Sot, grupi palestinez Hamas liroi tre pengje izraelite dhe pesë punonjës tajlandezë në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve me Izraelin.

I dërguari amerikan shprehu bindje se marrëveshja e armëpushimit të Gazës do të vazhdojë deri në fund.

Witkoff mbërriti në Izrael dje, ku u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu, si dhe vizitoi Rripin e Gazës.

Gjatë ditës së sotme, ai u takua me ministrin izraelit të Financave dhe kreun e Partisë së Sionizmit Fetar të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich.

Faza e parë 6-javore e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës hyri në fuqi më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 47.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur më shumë se 111 mijë të tjerë.

Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes janë liruar dhjetë pengje izraelite në këmbim të 290 të burgosurve palestinezë. Rreth 110 të burgosur të tjerë palestinexzë pritet të lirohen nga burgjet izraelite gjatë ditës.

Në kuadër të fazës së parë të marrëveshjes, 33 pengje izraelite do të lirohen në këmbim të rreth 1.700 deri në 2 mijë të burgosurve palestinezë.

Sulmet izraelite në Gaza gjithashtu kanë lënë mbi 11 mijë njerëz të zhdukur, me një shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.

Gjykata Ndërkombëtare Penale në muajin nëntor lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.