Ballina Lajmet Rajon dhe Botë I dërguari i posaçëm i OKB-së apelon për rivendosjen e plotë të...

I dërguari i posaçëm i OKB-së apelon për rivendosjen e plotë të integritetit territorial të Sirisë

Mr. Geir O. Pedersen of Norway - Special Envoy for Syria

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë, Geir Pedersen, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të mbështesë rivendosjen e plotë të sovranitetit, integritetit territorial dhe unitetit të Sirisë, si dhe ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të agresionit të Izraelit.

Duke folur për Anadolu, Pedersen tha se sovraniteti, integriteti territorial dhe uniteti i Sirisë duhet të rivendosen plotësisht dhe të gjitha aktet e agresionit, përfshirë ato të Izraelit, duhet të ndalojnë menjëherë për t’i hapur rrugën një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme Sirisë dhe rajonit.

Pedersen gjithashtu theksoi se vendi i shkatërruar nga lufta po kalon ndryshime të thella dhe transformuese, përfshirë ndryshime në qeverisje, dinamikën ushtarake në zhvillime, detyrën e madhe të rindërtimit dhe një krizë ekonomike gjymtuese.

“Këto sfida janë të mëdha, por ka shpresë. Familjet e ndara prej kohësh nga vitet e konfliktit më në fund po ribashkohen dhe disa po kthehen në shtëpitë që dikur besonin se ishin të humbura përgjithmonë”, tha Pedersen.

Pavarësisht sfidave, i dërguari i OKB-së për çështjen e Sirisë vlerësoi optimizmin e sirianëve.

“Pavarësisht durimit të vështirëve të paimagjinueshme, shpirti i popullit sirian mbetet i pathyer dhe shpresa e tyre për një të nesërme më të mirë është vërtet frymëzuese. Këto cilësi më lanë një përshtypje të thellë gjatë vizitës sime të fundit”, tha Pedersen.

Ai theksoi tmerrin e përjetuar nga të burgosurit në burgun famëkeq ‘Sednaya’ dhe familjet e tyre, gjë e cila doli në dritë me rënien e regjimit të Bashar Asadit.

“Një nga momentet më domethënëse ka qenë lirimi i mijërave civilëve të pafajshëm, të cilët duruan kushte të paimagjinueshme në burgjet e Asadit. Kjo nuk është asgjë më pak se një mrekulli. Megjithatë, fati i pazgjidhur i dhjetëra mijërave personave të zhdukur, një tragjedi me përmasa marramendëse, vazhdon të ndjekë kombin, duke hedhur një hije mbi këto zhvillime pozitive”, shpjegon Pedersen.

– Tranzicioni politik duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i udhëhequr nga vetë Siria

Më tej, i dërguari i posaçëm i OKB-së tha se procesi i shkaktuar nga rënia e regjimit duhet të formësohet nga vetë sirianët, me një mbështetje ndërkombëtare.

“Rruga përpara duhet të drejtohet nga vetë sirianët, me mbështetje të fuqishme nga komuniteti ndërkombëtar. Tranzicioni politik duhet të jetë i udhëhequr nga Siria, gjithëpërfshirës dhe i besueshëm, duke siguruar që çdo komunitet të përfaqësohet plotësisht dhe të integrohet në strukturën e Sirisë së re të bashkuar dhe paqësore”, tha Pedersen.

Vëmendje e veçantë, sipas tij, duhet t’i kushtohet mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe të të drejtave të grave dhe vajzave, duke siguruar pjesëmarrjen e tyre aktive në formësimin e së ardhme së Sirisë. Ai theksoi se OKB-ja është e gatshme të mbështesë këtë proces.

Ai gjithashtu theksoi nevojën për një kornizë të re kushtetuese, si dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, sipas standardeve ndërkombëtare dhe Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Gjithashtu, një proces gjithëpërfshirës i drejtësisë tranzicionale duhet të zbatoht për të mbështetur të drejtën e popullit sirian për të vërtetën, përgjegjshmërinë dhe dëmshpërblimin. Këto masa janë thelbësore për vendosjen e shtetit të së drejtës, por edhe për nxitjen e kohezionit social dhe arritjen e paqes së qëndrueshme”, tha ai.

Ai e përshkroi situatën në Siri si një nga krizat më të mëdha humanitare në botë.

“OKB-ja dhe partnerët e saj mbeten thellësisht të përkushtuar, duke mobilizuar në mënyrë aktive burime dhe ekspertizë për të vlerësuar situatën në terren, për të përshtatur përgjigjen e tyre për të përmbushur nevojat në ndryshim të popullsisë, si dhe për të mbështetur përpjekjet për rimëkëmbje”, theksoi Pedersen.

Exit mobile version