Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Skënderaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj, zyrtarit policor me inicialet E.R i shtetësisë boshnjake, i cili dyshohet të ketë shkaktuar aksidentin me tre të vdekur në Çubrel të Skënderajt.
I dyshuari E.R ndodhet në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës duke marrë trajtim pas lëndimeve që ka marrë nga aksidenti, shkruan lajmi.net.
Gjykata në Mitrovicë, përmes aktgjykimit ka thënë se qëndrimi i tij në Klinikën e Ortopedisë si i hospitalizuar do t’i llogaritet në kohën e paraburgimit dhe gjatë kësaj periudhe ai e ka të ndaluar të bisedoj me të tjerët pa lejen e Gjykatës përveç me stafin mjekësor dhe familjarët e tij të afërt që kujdesen për të.
Seanca dëgjimore është mbajtur me 28 janar të këtij viti në QKUK saktësisht në Klinikën e Ortopedisë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të të pandehurit.
Gjykata ka njoftuar se bazuar në provat materiale, i pandehuri E.R nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën nacionale Pejë-Mitrovicë në fshatin Çubrel, pasi ishte një kthesë në të djathtë, ka dal në krahun e majtë dhe ka goditur veturën civile ku ndodheshin tri viktimat dhe një fëmijë i cili është duke u trajtuar në QKUK për shkak të gjendjes së rëndë.