Shoqata e të Burgosurve Palestinezë njoftoi se i burgosuri palestinez 39-vjeçari Sami al-Ammur ka ndërruar jetë për shkak të neglizhencës mjekësore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Shoqata thuhet se sëmundja kongjenitale e zemrës së Ammurit, i cili ishte në paraburgim që nga viti 2008, u rrit si rezultat i politikës së neglizhencës mjekësore të Izraelit, ndjekjes së vonuar të gjendjes së tij shëndetësore dhe kushteve të vështira në të cilat ndodhej gjatë viteve të burgimit.
Ammur ishte transferuar nga burgu i Izraelit Nafha në burgun Ashkelon (Askalan) pak ditë më parë dhe më pas është transferuar në spitalin Soroka. Ammur kishte hyrë në operacion në spital, por operacioni ishte i pasuksesshëm.
Gjithashtu thuhet se lajmi për vdekjen e Ammurit, i cili dje iu nënshtrua një operacioni tjetër, u bë i ditur në mëngjes. Ai ndërroi jetë si rezultat i krimit dhe politikës së neglizhencës mjekësore të qëllimshme (vrasje e ngadaltë).
Thuhet se Ammur, i cili ishte nga qyteti Deir al-Balah të Rripit të Gazës dhe ishte dënuar me 19 vjet burgim, ndodhej në një burg izraelit që nga viti 2008.
Atij i ishte kufizuar të vizitohej nga të afërmit gjatë viteve të arrestit ndërsa nëna e tij mund ta shihte Ammurin vetëm disa herë në fillim të burgimit.
Në deklaratë thuhet se Ammuri është “viktima e re e krimit të pakujdesisë mjekësore”, që është një nga politikat e zbatuara sistematikisht që kanë shkaktuar vdekjen e të burgosurve në vitet e fundit.
Shoqata e të Burgosurve Palestinezë njoftoi se numri i të burgosurve palestinezë që humbën jetën në burgjet izraelite nga viti 1967 u rrit në 227, 72 prej të cilëve ishin bazuar në neglizhencë mjekësore.
Duke theksuar se trupat e 7 të burgosurve palestinezë që humbën jetën në burgjet izraelite janë ende duke u mbajtur nga forcat okupuese, Shoqata theksoi se përgjegjësia për vdekjen e Ammurit dhe jetën e të burgosurve të sëmurë palestinezë i takon Administratës së Burgjeve izraelite.
Shoqata u bëri thirrje autoriteteve përkatëse që të ndërhyjnë seriozisht për të ndalur këtë krim, i cili vazhdon të praktikohet sistematikisht ndaj të burgosurve palestinezë.
Sipas të dhënave të Shoqatës, deri më 6 shtator në burgjet izraelite ndodheshin rreth 4.650 palestinezë, 520 prej të cilëve janë “të burgosur administrativë” dhe rreth 200 prej tyre fëmijë.
Shoqata deklaroi se rreth 550 nga të burgosurit e sëmurë në burgjet e forcave pushtuese deri në fund të vitit 2020 kanë sëmundje kronike dhe duhet ndjekur me vëmendje gjendjen e tyre shëndetësore. /aa