Pavarësisht se Napoli e konsideron të paprekshëm dhe ai ka premtuar besnikëri për ekipin italian gjatë këtij sezoni, kjo nuk e ndalon Totenhemin ta mendojë Elseid Hysajn si zëvendësuesin e mbrojtësit më të shtrenjtë në historinë e futbollit Kajl Uollkër.
Hysaj del në listë si një alternativat e mundshme dhe si më i besueshmi, pasi trajneri argjentinas i Totenhemit e pëlqen shumë dhe mendon që do të përshtatet menjëherë në futbollin anglez. Si fillim është duke u kryer thjesht një sondazh nga ana e ekipit londinez për të siguruar shërbimet e shqiptarit, por nuk përjashtohet mundësia që në ditët e ardhshme të ketë një sulm për të bindur lojtarin dhe presidentin De Laurentis.
Panorama Sport përcjell se në fakt, Sarri nuk ka ndër mend të privohet nga Hysaj sepse e konsideron si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së tij dhe të pazëvendësueshëm në krahun e djathtë. Hysaj rinovoi kontratën dhe ka një klauzolë për të larguar skuadrat e tjera që shfaqin interes për të. Nëse një klub vendos të paguajë 50 milionë euro, atëherë mund të transferojë Hysajn, në të kundërt duhet të bisedojë me De Laurentisin për ta blerë me çmim më të lirë.
Hysaj ka një rrogë 1.5 milionë euro në sezon, e cila pëson rritje deri në 2.3 milionë. Napoli e bleu vetëm 5 milionë euro kartonin e tij nga Empoli dhe vlera e shqiptarit ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme në dy sezone, aq sa konsiderohet mbrojtësi më i shtrenjtë në Itali.