Përpjekjet e një pakice, të numërueshme me gishtat e dorës, në trevat shqiptare mbi krijimin e një diskursi polimizues dhe kundërshtues ndaj vlerave kombëtare shqiptare, po vijohen dhe nga një grusht mbështetësish të një lëvizje politike në Kosovë. (Këtu veçojmë faktin që idetë e këtyre individëve deri më tani nuk janë diskursi publik i partisë në fjalë në tërësi, edhe pse lideri i mbështet agjenda të tilla, por thjesht dëshira dhe ëndrra e disave, ideologjia e të cilëve është në grahmat e fundit të mbijetesës dhe po përpiqen ta identifikojnë mënyrën e tyre të gabuar të të gjykuarit të shoqërisë shqiptare me atë të një lëvizje të tërë. Kjo tregohet dhe nga debatet brenda partiake mbi këtë çështje, për të cilën deri tani nuk ka pasur unanimitet).
Debati mbi normat dhe bazat familjare të kahershme dhe metodave të reja, të cilat synojnë tranformimin e konceptit të familjes, del në skenë herë pas here në Kosovë. Pa dashur të analizoj përsetë, një kontigjent i VV ka dalë hapur pro vlerave familjare tradicionale dhe kundër agjendave tjetërsuese familjare, (gjë që çdo individ i shëndoshë do ta bënte, qoftë edhe për konceptin më të lehtë-kuptueshëm si ai i vazhdimësisë së jetës njerëzore).
Ajo çka bie në sy është retorika e asaj pakice që përmendëm në fillim, si rasti konkret i H. Feraj, jo thjesht për të mbrojtur metodat aneksuese të familjes tradicionale, por etikimin banal me një lloj islamofobie, sigurisht të mbartur që nga koha kur vlerësoheshin idetë marksiste-ateiste. (Vesi del me shpirtin).
Në një shkrim në disa pika Z. Feraj përpiqet të shtrembërojë disa të vërteta, të cilat mund të shtrembërohen vetëm bazuar në një mllef antifetar dhe dashakeqas ndaj shoqërisë tonë, kur dihet që shumica e shqiptarëve janë fetarë dhe besojnë në një nga disa fetë të cilat bashkëjetojnë ndër shekuj në këto vise.
Vetë etiketimi që në fillim me termin “Rrahmanizëm”-referuar mbiemrit të një deputeti të parlamentit të Kosovës, nënkupton nga ana e autorit që po i drejtohet një ideje të përbuzur prej tij dhe këtë pikë ai e sheh si superior, duke e përbuzur. Gjithsesi për termin nuk ja vlen të ndalesh pasi kjo lloj metodologjie përdoret vetëm në rastin kur ti vetë je inferior ndaj kundërshtarit dhe duke mos pasur bazë argumentuese e kalon debatin në forma ofenduese.
Feraj duke e ditur që në kuadër të nismave shkatërruese të familjes nuk ka asnjë argument shkencor (por edhe social, pasi shoqëri me bazë familjare jo nënë-baba nuk njeh historia të kenë ekzistuar ndër breza), mundohet tja mveshi konceptit teokratik të të menduarit. Pra nëse je pro vlerave familjare, pro të drejtave të barabarta të shkollimit e punësimit të individëve me një besim të caktuar fetar, na qënkërkash një vlerë imponuese. Madje jo vetëm kaq, por mospasja e disa themeleve argumentative nxjerr në pah dualitetin demokraci-shtet teokratik. Por pyetja që lind është: në një shoqëri thelbësisht fetare, si nuk qenkan ngritur deri më sot ndonjëherë ideja e krijimit të këtij shteti teokratik?
Në një retrospektivë jo shumë të largët mund të vërejmë që përplasjet ideologjike siç pretendon autori Feraj nuk janë bërë duke i dhuruar lule tjetrit përballë. Komunistët në Shqipëri pas L2B u konfliktuan përgjakshëm me ballistët, në vitet 90′ sistemi demokratik nuk erdhi si një proces i paqtë i tejkalimit të sistemit diktarorial, dhe për më tepër pavarësia e Kosovës nuk erdhi me negociata tryeze, por me luftë dhe derdhje gjaku.
Atëherë po këta që mendojnë ndryshe nga H. Feraj përse po përpiqen për të ndryshuar Demokracinë, kur vetë autori e përmend që mbrojtësit e vlerave shoqërore shqiptare po përdorin metoda të paqta demokratike për të ndryshuar vetëm një aspekt që ligjërisht mund të mos jetë në rregull? Fundja a nuk është kjo një mënyrë demokratike për të kërkuar një politikë të re apo ndryshimin e një politike? Për të mos folur pastaj mbi konceptin e shtetit teokratik, të cilin autori e fut në vorbullën e përgjithësimit rreth kësaj teme, pa u përpjekur për ta shpjeguar sipas konceptit sesi ndërtohet ky shtet, nisur nga pikëpamje e ideologjisë fetare që ai po kundërshton.
Në vijimësi përsa u përmend më lart, bie poshtë edhe fakti që ky i ashtuquajturi sulmi ndaj shtetit laik bie ndesh me gjithë historinë e traditën shqiptare. Shteti modern shqiptar është themeluar mbi bazën e asaj që sot ne e cilësojmë si bashkëjetesë fetare. Ismail Qemali u kujdes që në qeverinë e drejtuar prej tij të ishte e barabartë ndarja fetare mes posteve ministrore. Kjo për të ritheksuar edhe një herë faktin që shoqëria shqiptare ka qenë, siç është edhe sot thelbësisht fetare. U punua për krijimin e një shteti laik, ku pjesa fetare kishte peshën e saj, jo shtet ateist, sipas të cilit duket se është ndikuar dhe autori kur shfaq idetë e tij.
Të gjitha fetë mbështesin bazën familjare burrë-grua dhe njohin konceptin nënë-baba. Që prej 1912 nuk ka pasur tentativë për ta ndryshuar këtë gjë, pra vetë shteti laik shqiptar e ka pranuar sipas traditës këtë koncept. Përpjekjet e sotme për të mbrojtur këtë koncept mbi familjen jo vetëm që nuk bie ndesh me shtetin laik, por përkundrazi përpiqet të ruajë vlerat që shoqëria shqiptare ka përqafuar tradicionalisht. Rreziku i vërtetë ndaj shtetit laik është kundërshtimi i këtyre vlerave dhe parimeve, pasi do të tjetërsonte të gjithë mënyrën e jetesës shoqërore të shqiptarëve, duke ia ulur vlerat shtetit, që më pas do të pushonte së qenuri ai shtet për të cilin është punuar dhe derdhur gjak.
Feraj deklaron se ideologjia që ai po kundërshton ka synim sjelljen e formave inçestuale. Por harron në këtë lojë fjalësh të na tregojë sesi paskan jetuar pjesa më e madhe e shqiptarëve pa u dashur të promojnë inçestin, duke u bazuar në faktin që shumica i beson asaj ideologjia që autori godet. Po ashtu Z. Feraj harron të na thotë sesi me format e reja ligjore të shëndetit riprodhues mund të ndalohet ky fenomen kur nuk është me nevojshme të dihet se kush është babai i fëmijës për fertilizimet klinikore. Ky po është rrezik që inçesti të përhapet në shoqëri.
Në një pikë të opinionit të tij, Feraj thotë se “një familje që duhet ta ruajë ligji, tashmë ka marrë fund si familje”. Atëherë përse po përpiqet të krijohet një model tjetër familje mbi baza ligjore? A nuk është e njëjta gjë dhe për këtë model të ri, fakti që po përpiqet të bëhet e ligjshme, a nuk është fundi për të? Por pajtohem dhe me pjesën që familja ka qenë e tillë dhe ka ekzistuar përpara nocionit të shtetit, si edhe do të vazhdojë të ekzistojë si e tillë. Ajo i ka bërë ballë shumë ideologjive që kanë kërkuar shkatërrimin e saj dhe sërish vazhdon të jetë ashtu siç ka qenë tradicionalisht.
Ndërkohë fjalinë në “askush nuk di të shpjegojë sesi ligji duke martuar dy vetë mund t’ja prishë familjen dy të tjerëve”, mund ta formulojmë në mënyrë alegorike: çfarë pune i prish liqeneve të Kosovës fakti që Ujmani mund të mos jetë pjesë e territorit të Kosovës. Pra nuk është pyetja se çfarë ndikon tek dy të martuar, pasiqë asgjë e tillë nuk mund të ndikojë, por problemi qëndron në pasojat sociale dhe jetëgjata që afirmon një martesë jo e kategorisë burrë-grua. Njësoj siç marrja e Ujmanit nga Serbia do të cënonte shumë faktorë të tjerë në shtetin e Kosovës dhe prandaj është e do të jetë pjesë e territorit të shtetit shqiptar të Kosovës.
Në thelb e gjitha kjo narrativë është thjesht një përpjekje për të ringjallur të vdekurën, thirrjet e fundit dëshpëruese të gjithë atyre që kërkojnë të tjetërsojnë bashkëjetesën fetare si fillim, por edhe sakrificën e atyre fetarëve, të të gjitha feve, që derdhën mund, djersë e gjak që ky shtet të ekzistojë. Thirrje e atyre që kur interesi politik i shkonte përshtat të ecnin krah për krah me “rrahmanizimin” nuk dukej se kishin probleme të tilla, por në momentin që ky interes filloi të cënohet, papritur e pandehur u kuptua se kë paskemi përballë. /n’skaj
Nga: Qazim Fuçija