AKEP ka vendosur që tarifa maksimale e terminimit të thirrjeve kombëtare në rrjetet celulare të Vodafone Albania dhe One Albania nga 1 tetori të ulet nga niveli i mëparshëm prej 1.1 lekë/minutë në 1.02 lekë/minutë.
Nga fillimi i muajit tetor, ka hyrë në fuqi ulja e tarifave të terminimit në rrjetet celulare.
Tarifat e terminimit janë tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për thirrjet që kryhen drejt rrjeteve respektive dhe rregullimi i këtyre tarifave është instrumenti kryesor i rregullimit të tregjeve të komunikimeve elektronike.
Ulja e këtyre tarifave u vendos në shkurt të këtij viti nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që mbështetur në analizën e tregut, AKEP ka shpallur përsëri si Operatorë me Fuqi të Ndjeshme (OFNT) në tregun përkatës me shumicë të terminimit të thirrjeve kombëtare për operatorët celularë One Albania dhe Vodafone Albania.
AKEP ka vendosur që tarifa maksimale e terminimit të thirrjeve kombëtare në rrjetet celulare të Vodafone Albania dhe One Albania nga 1 tetori të ulet nga niveli i mëparshëm prej 1.1 lekë/minutë në 1.02 lekë/minutë. Ulja do të jetë e përshkallëzuar dhe do të vijojë gjatë vitit të ardhshëm. Në 1 prill 2025, tarifa e terminimit do të ulet në 0.89 lekë/minutë, ndërsa në 1 tetor 2025 tarifat do të ulen përfundimisht në 0.75 lekë/minutë.
Tarifat e reja të terminimit janë përcaktuar mbështetur në dokumentin për rezultatet e modelit të kostove të shërbimeve me shumicë të rrjeteve celulare, që u miratua nga AKEP në vitin 2021. Dokumenti në fjalë përcakton tarifa terminimi të thirrjeve që të reflektojnë kostot direkte, të matura për operatorët e komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri.
Sipas analizës së kostove të përgatitura nga konsulentët e kontraktuar nga AKEP për këtë qëllim, kosto e terminimit të thirrjeve kombëtare ka rezultuar rreth 0.751 lekë për minutë, ndërsa për thirrjet hyrëse ndërkombëtare 0.762 lekë për minutë.
Më parë, për vendosjen e tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare AKEP është mbështetur në metodën benchmark të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike).
Megjithëse dokumenti me kostot e matura u miratua qysh në vitin 2021, ulja e përshkallëzuar e tarifave në kosto ngeli pezull për afërsisht tre vjet, në pritje të analizës së re të tregut për të shpallur edhe njëherë OFNT.
Orientimi në kosto i tarifave me shumicë vlerësohet si mënyra më e mirë për të mundësuar një konkurrencë të drejtë dhe të ndershme mes operatorëve në tregun me pakicë. Aktualisht, në Shqipëri veprojnë vetëm dy operatorë celularë, pas mbylljes së operatorit të katërt, Plus Communication dhe bashkimit mes operatorëve One dhe Albtelecom.
Megjithatë, këtë vit në treg po shtohen zërat për licencimin e mundshëm të një operatori virtul (MVNO). Në raportin për vitin 2023, AKEP, shprehet se, në përputhje të plotë me legjislacionin dhe aktet rregullatore, do të ndërmarrë një studim të detajuar mbi vlerësimin e mundësive dhe impaktit të hyrjes së MVNO-ve në tregun e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme.
Operatorët virtualë nuk kanë një infrastrukturë rrjeti të tyre, por shfrytëzojnë me marrëveshje rrjetin e operatorëve ekzistues të rrjeteve celulare (MNO). Operatorët MVNO janë të pranishëm në shumicën e tregjeve të telekomunikacioneve në Europë dhe në disa raste pjesa e tregut të tyre operatorëve arrin deri në 15%. Modeli i biznesit të operatorëve MVNO ka spektër mjaft të gjerë.
Disa prej tyre funksionojnë pak a shumë si rishitës të shërbimeve të operatorëve të rrjeteve celulare (MNO), duke i tregtuar këto shërbime me markën e tyre dhe duke ndjekur strategji të veçanta marketingu. Por, ka edhe operatorë MVNO që zotërojnë një infrastrukturë teknike mbështetëse, që u mundëson t’u japin vlerë të shtuar shërbimeve të ofruara përmes rrjetit të MNO-ve.
Të dhënat e AKEP treguan se edhe vitin e kaluar të ardhurat nga shërbimet me shumicë të operatorëve celularë pësuan rënie të konsiderueshme edhe vitin e kaluar, ndërsa kjo rënie u balancua nga rritja e të ardhurave në shërbimet me pakicë, çka bëri që volumi i tregut në total të ishte në nivele të përafërta me një vit më parë, me rreth 25.4 miliardë lekë. /Monitor