Hyn në fuqi marrëveshja gjithëpërfshirëse e partneritetit strategjik Rusi-Kore e Veriut

Ministria e Jashtme ruse njoftoi se ka hyrë në fuqi marrëveshja gjithëpërfshirëse e partneritetit strategjik e nënshkruar mes Rusisë dhe Koresë së Veriut në qershor, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate nga ministria, zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrey Rudenko dhe zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Kim Jong Gyu kanë nënshkruar në Moskë protokollin që përcakton hyrjen në fuqi të marrëveshjes së partneritetit.

Marrëveshja gjithëpërfshirëse e partneritetit strategjik midis Rusisë dhe Koresë së Veriut u nënshkrua gjatë vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Korenë e Veriut në qershor.

Siç theksohet, kjo marrëveshje parashikon ndihmën e ndërsjellë ushtarake në rast të një sulmi ndaj njërës nga palët dhe do të kontribuojë në ndërtimin e një rendi botëror multipolar me një sistem sigurie të pandarë në rajonin e Azisë Verilindore dhe atë të Azi-Paqësorit.