Ballina Arritje “Hydrospeed” në Vjosë

“Hydrospeed” në Vjosë

Një grup aventurierësh nga Franca provuan për herë të parë në fillim të viteve ’70 një eksperiencë të re ujore të cilën vendosën ta quanin “hydrospeed” sepse bazohet në shpejtësinë e rrëmbimit të ujit.

Tani janë të rinjtë shqiptarë ata të cilët, që prej kësaj vere, për herë të parë provojnë të tillë eksperiencë në ujrat e rrëmbyer të Vjosës, në Përmet.

Blerina Ago, e Federatës Shqiptare të Rafting-ut, shprehet: “Hydrospeed-i ose sporti i ujrave të rrëmbyeshëm vjen për herë të parë në Shqipëri dhe shpresojmë që të shtojmë sa më shumë alternativa në turizmin e aventurës./Top Channel/

Shqipëria është e bekuar duke patur lumenj shumë të bukur, të egër, me rrëmbesa fantastike, me kanione përreth. Ndaj, ne donim të shtonim aktivitetet që mund të bëhen përgjatë lumenjve e përgjatë zonave rurale”.

Limiti i vetëm në këtë sport është mosha mbi 15 vjeç. Pajisjet janë të ngjashme me “rafting”: kostumi 5 mm i trashë, jeleku i shpëtimit, skafandra si edhe lopatat e këmbëve. Pas kësaj, mund të kridhesh në ujrat e Vjosës si një peshk i vërtetë.

Lundrimi në ujë zgjat rreth 2 orë duke përshkuar disa vende të qeta e disa të tjera më me rrëmbim, ku kërkohet më shumë impenjim.

Në të gjitha rastet, për ata që i tremben sfidës dhe e lënë garën në mes për ta vazhduar udhëtimin si vëzhgues, apo për çdo të papritur gjatë “hydrospeed”, një gomone me profesionistë është gjithnjë aty pranë në rast nevoje.

“Kam bërë “rafting” më parë, por “hydrospeed” është hera e parë. Është shumë ndryshe. Andrenalina e “hydrospeed”-it është shumë herë më e madhe sepse je vetëm. Më pëlqen sporti në ekip, por edhe vetëm u kënaqa shumë”, thotë një turiste.

Julie, turiste amerikane, shprehet: “Është hera ime e parë në Shqipëri dhe hera e parë në “hydrospeed” gjithashtu.

Ishte e mrekullueshme, shumë qejf, pamjet janë madhështore. Po, definitvisht do të doja të vija përsëri në Shqipëri dua ta bëj këtë sërish”.

“Është shumë, shumë ekstreme si eskperiencë. Duhen këmbë shumë të forta, është shumë e rëndësishme të kesh këmbë të stërvitura.

Për mua është hera e parë që e provoj, por do ta provoja sërish nëse kthehem. Hej njerëz, provojeni këtë”, deklaron Darius, turist polak.

Veç kënaqësisë e adrenalinës, ky sport mund të jetë edhe fitimprurës për Shqipërinë.

“Të tilla aktivitete, të cilat janë në kontakt të pareshtur me natyrën, shumë miqësore me mjedisin, i bëjnë turistët të qëndrojnë më gjatë e të shpenzojnë më shumë.

Janë ato çfarë i duhen Shqipërisë dhe një turizmi të qëndrueshëm”, deklaroi Blerina Ago./Mesazhi/

 

Exit mobile version