Huthit njoftojnë se kanë sulmuar me raketë balistike Tel Avivin

Huthit në Jemen njoftuan se kanë shënjestruar me raketë balistike dhe mjete ajrore pa pilot qytetet Tel Aviv dhe Askalan të Izraelit, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree bëri një deklaratë nga platforma e medias sociale X në lidhje me sulmet.

Saree në deklaratën e tij vuri në dukje se Huthit shënjestruan me dronë qytetin Askalan dhe me raketë balistike Tel Avivin.

Ushtria izraelite njoftoi se në orët e natës në qiejt e vendit kishte parandaluar përmes sistemeve të mbrojtjes ajrore një raketë balistike të lëshuar nga Jemeni drejt Izraelit.

“Raketa e lëshuar nga Jemeni u parandalua me sukses nga sistemi i mbrojtjes ajrore Arrow”, thuhet në deklaratën me shkrim nga ushtria.

Në deklaratën në të cilën nuk u dhanë informacione se në cilën pjesë të vendit u parandalua raketa, thuhej se për shkak të lëshimit të raketës u aktivizuan sirenat.