Të martën prej orës 19:00, në Budapest, Hungarinë e sfidon Kosova. Dhe për “Dardanët” do të jetë test i vërtetë pas fitores ndaj Armenisë. Një rezultat pozitiv e paraqitje pozitive ndaj Hungarisë, do të ishin me vlerë shumë të madhe për Kosovën. Do të dëshmonte se ekipi i Franco Fodas është në rrugën e duhur. Sinjale janë dhënë të premten në fitoren 1:0 në Jerevan ndaj Armenisë, por Hungaria megjithatë është nivel tjetër – dukshëm më i lartë.
Hungarezët e drejtuar nga Marco Rossi janë në seri prej 13 ndeshjeve pa humbje. Së fundi janë mposhtur nga Italia, më 26 shtator të vitit 2022. Prej atëherë Hungaria ka fituar në Greqisë, Estonisë, Bullgarisë, Lituanisë, Serbisë, Malit të Zi e Turqisë. Madje Serbinë e ka mposhtur dy herë. Ka barazuar me Luksemburgun, Malin e Zi, Çekinë, Lituaninë e Bullgarinë.
Në kampionatin evropian “Gjermania 2024”, Hungaria është kualifikuar si fituese e Grupit G ku ishin edhe Serbia. Mali i Zi, Lituania e Bullgaria. Mblodhi 18 pikë nga pesë fitore e tri barazime.
Në Evropian, Hungaria është në Grupin A. Më 15 qershor luan me Zvicrën, më 19 qershor me Gjermaninë, ndërsa më 23 qershor takohet me Skocinë.
Në “Pushkash Arena”, të premten ndaj Turqisë, prezent ishin plot 58 mijë shikues. Numër i madh i shikuesve pritet edhe të martën mbrëma në ndeshjen ndaj Kosovës.
Selektori i Hungarisë, Rossi, nuk ishte shumë i kënaqur me paraqitjen ndaj Turqisë. Kjo nënkupton se ai do të kërkojë edhe më tepër ndaj Kosovës.
“Jam më shumë i kënaqur me rezultatin se me paraqitjen. Kemi pasur momente të mira, por në situata të caktuara kemi vuajtur shumë dhe nuk morëm vendimet e duhura në fund me disa lëvizje tonat. Kemi mundur të paraqitemi më mirë përpara, por sulmuesit nuk e kishin ditën e tyre. Mbrojtja, po ashtu, nuk ishte e përkryer, por natyrisht kemi bërë disa gjëra të mira në fushë. Nuk ka pasur probleme me dëshirën, kështu që askush nuk mund të kritikohet”, ka thënë Rossi. Ai ka theksuar se ndeshja ishte e barabartë dhe barazimi do të ishte rezultat i drejtë.
Rossi ka paralajmëruar se ndaj Kosovës do t’ua jap rastin edhe disa debutuesve.
“Dua të uroj Marton Dardain për debutimin e tij. Ndoshta në ndeshjet e radhës më shumë lojtarë që nuk kanë paraqitje do të kenë rastin për debutim ndërkombëtar”, ka theksuar Rossi.
Dominik Szobozslai i Liverpoolit është lojtari kryesor i hungarezëve. Ka të tjerë lojtarë cilësorë te Hungaria, por jo emra të mëdhenj të futbollit ndërkombëtar.
Përfaqësuesja e Kosovës tashmë ka udhëtuar për në Budapest. Fitorja ndaj Armenisë ka rritur shpresat për sukses ndaj Hungarisë.