Hungaria në “luftë” me BE-në, i fut hundët për të mbrojtur një shtet tjetër

Judit Varga

Hungaria i quajti arrogante autoritetet e Bashkimit Evropian, pasi ato morën masa për t’i vendosur ndëshkime financiare Polonisë rreth një mosmarrëveshjeje për reformat në sistemin e drejtësisë.

Komisioni Evropian tha të martën se ka kërkuar nga gjykata më e lartë e BE-së që ta dënojë Poloninë për veprimet e dhomës disiplinore të gjykatësve, duke e zgjeruar luftën rreth mosmarrëveshjes së gjatë sa i përket fushës së sundimit të ligjit.

Ministrja hungareze e Drejtësisë, Judit Varga, tha se veprimi i Komisionit Evropian është i papranueshëm. “Qeveria (hungareze) ka vendosur që të miratojë një rezolutë për ta shprehur përkrahjen e saj për Poloninë dhe për t’i dënuar sulmet keqdashëse të Brukselit”, tha Varga në llogarinë e saj në Facebook.

Varshava tha para tri jave se dhoma disiplinore do të shpërbëhet në muajt e ardhshëm si pjesë e reformave më të gjera në drejtësi, shkruan Reuters.

Megjithatë, Komisioni Evropian tha se do të marrë masa, sepse ky organ tashmë është duke u përdorur për t’iu bërë trysni gjykatësve ose për të ushtruar kontroll politik në vendimet e sistemit gjyqësor, duke e shkelur në këtë mënyrë ligjin e BE-së.

Varga tha se injorimi i premtimit polak është hap skandaloz dhe arrogant nga Komisioni Evropian, i cili, sipas saj, “po ndërhyn në drejtësi dhe në procesin e bërjes së ligjeve në një shtet anëtar sovran në mënyrë të pashembullt”.

Ndryshe, Hungaria dhe Polonia janë shtete aleate për disa vjet. Të dyja shtetet janë përfshirë në disa konflikte me Brukselin rreth çështjeve si sundimi i ligjit dhe të drejtat e komunitetit LGBT. Ato thonë se po i mbrojnë shoqëritë e tyre tradicionale nga liberalizmi perëndimor.