Hungaria miratoi të martën një ligj të ri që mund ta detyrojë miliarderin amerikan ,Xhorxh Soros, të mbyllë sa më shpejt universitetin e tij në Budapest, raporton “Reuters”.
Kryeministri Viktor Orban, një kritik i ashpër i organizatave civile të financuara nga Soros, tha javën e kaluar se Universiteti i Evropës Qendrore kishte shkelur rregulloret dhënies së diplomave.
Ligji i sapo miratuar i lejon qeverisë hungareze të trajtojë mangësitë administrative të universiteteve të huaja si dhe u kërkon këtyre institucioneve arsimore në Hungari të kenë kampuse dhe të ofrojnë kurse të ngjashme në vendin e tyre të origjinës.
Pothuajse të gjitha mediat ndërkombëtare raportojnë se ligji ka në shënjestër universitetin e Sorosit, të cilin qeveria nacionaliste e Orban e sheh si bastion të opozitës liberale, shkruan “SYRI.net”.
Ministri hungarez i Çështjeve Humane Zoltan Balog, u tha ligjvënësve se organizatat e Sorosit janë “organizata agjentësh”.
“Jemi të angazhuar për shkatërrimin e aktiviteteve të tilla”, u shpreh ai para disa ditësh.
Mijëra studentë dhe mbështetës të Universitetit të Evropës Qendrore protestuan kundër ligjit, pasi universiteti u tha se “duhet të rezistonin”.
Pas këtij ligji, Universiteti i Evropës Qendrore mund të detyrohet të ndalojnë pranimin e studentëve për vitin shkollor 2018 dhe të mbyllë përfundimisht dyert më 2021-in./SYRI.net/