Hungaria kërcënon me bileta falas për emigrantët që duan të hyjnë në BE

Qeveria kundër imigracionit e Hungarisë është e përgatitur të ofrojë bileta falas për në Bruksel për migrantët dhe azilkërkuesit që tentojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, ka bërë të ditur të enjten një ministër hungarez, në përgjigje të gjobave të mëdha të vendosura së fundmi ndaj vendit për politikat e tij kufizuese të azilit.

Duke folur në një konferencë shtypi në Budapest, shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, Gergely Gulyas, kritikoi një vendim të qershorit nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, që urdhëroi Hungarinë të paguante një gjobë prej 200 milionë eurosh, për shkeljet e vazhdueshme të rregullave të bllokut ndaj azilit, dhe 1 milion euro shtesë në ditë derisa t’i përputh politikat e saj me ligjin e BE-së, raporton AP.

Ai ka thënë se nëse BE-ja vazhdon të detyrojë rregullore për Hungarinë që “nuk bëjnë të mundur ndalimin e emigrantëve në kufi”, vendi i tij do t’i ofrojë çdo migranti “transport për në Bruksel pa pagesë”.

“Nëse Brukseli vazhdon të dëshirojë të detyrojë një rregullore për Hungarinë që nuk bën të mundur ndalimin e emigrantëve në kufi, atëherë ne do t’i ofrojmë çdo migranti në kufirin hungarez transport vullnetar për në Bruksel pa pagesë. Nëse Brukseli dëshiron emigrantë, mund t’i ketë ata. Qëllimi është që emigrantët të mos vijnë në shtetet anëtare. Por qeveria hungareze është e gatshme të sigurojë një biletë me një drejtim për të gjithë ata që mbërrijnë në kufirin hungarez nëse Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian dhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë e bëjnë të pamundur ndalimin e migracionit në kufirin e jashtëm, siç bëri Hungaria në mënyrë shembullore gjatë dekadës së mëparshme”, ka deklaruar Gulyas.

Qeveria anti-emigrante e Hungarisë ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj njerëzve që hyjnë në vend që kur mbi 1 milion njerëz hynë në Evropë në vitin 2015, shumica e tyre duke ikur nga konflikti në Siri.
Vendi ndërtoi gardhe të mbrojtura me tela në kufijtë e tij jugorë, Serbinë dhe Kroacinë për mbajtjen e azilkërkuesve në kufirin e tij me Serbinë.

Por BE-ja ka kritikuar sistemin jashtëzakonisht të ngurtë të azilit të Hungarisë, dhe i kërkoi gjykatës së lartë të bllokut të gjobisë Budapestin për detyrimin e njerëzve që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare të udhëtojnë në ambasadat e saj në Serbi ose Ukrainë për të aplikuar për një leje udhëtimi, që përbën shkelje të rregullave të BE-së.

Orban, një populist i krahut të djathtë që është vazhdimisht në kundërshtim me BE-në, është zotuar më herët se Hungaria nuk do të ndryshojë politikat e saj të migracionit dhe azilit, pavarësisht nga ndonjë vendim nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Kërcënimi i Hungarisë për të transportuar emigrantë në Bruksel është një lëvizje e ngjashme me atë të bërë nga guvernatorët republikanë në Shtetet e Bashkuara, të cilët që nga viti 2022 kanë transportuar me autobusë ose avionë emigrantë pa dokumente, drejt bastioneve demokratike si Nju Jorku, Los Anxhelosi dhe Çikago, në shenjë proteste ndaj procedurave federale të azilit.