Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, kanë shënuar rritje dhe rënie të subjekteve politike. Skena politike në Kosovë, sipas analistëve, nuk është më njësoj. Partitë e mëdha që kanë qeverisur vitet e fundit në Kosovë në të dyja nivelet e pushtetit, janë vënë në sfidë serioze.
Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, analistët politikë vlerësojnë se këto zgjedhje sollën fitues dhe humbës.
Analisti Armend Muja në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rritjen më të lartë, ndonëse është renditur e dyta, pas koalicionit fitues të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe 10 partive tjera të vogla.
Sipas tij, Vetëvendosje ka shënuar gati dyfishim të votave, që siç thekson Muja, “është e rrallë në historinë politike të Kosovës që nga paslufta”.
Ngritja e Vetëvendosjes, ishte paralajmëruar që në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kur kandidati i saj, Shpend Ahmeti fitoi në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës në konkurrencë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
“Ngritjen më të madhe e ka pasur Lëvizja Vetëvendosje e cila ka shkuar nga 90 mijë vota në rreth 170 mijë vota që është dyfishim i Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse, koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma) në bazë të zgjedhjeve të kaluara është paraparë që të këtë minimumi 420 mijë vota, ndërkohë këta kanë humbur pothuajse 120 mijë vota, prej atyre që është paraparë t’i fitojnë”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e kaluara kishte diku rreth 170 mijë vota, ndërsa në këtë vit vlerësohet t’i ketë humbur rreth 50 mijë vota”, thekson Muja.
Dyfishim i votave të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas Mujës është shënuar përmes daljeve më të mëdha të votuesve në qendrat e mëdha, siç janë Prishtina, Ferizaj, Gjilani, Mitrovica dhe Prizreni.
“Këto lëvizje po ashtu kanë ndodhur për shkak të entuziazmit të ulët që ka ekzistuar në zonat tradicionale të koalicionit PAN dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, po ashtu ka qenë edhe një votë proteste ndaj koalicionit PAN dhe LDK-së”, thekson Muja.
Dalja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, sipas të dhënave të KQZ-së, ka qenë mbi 750 mijë apo rreth 41 për qind, derisa të drejtë vote, në bazë të listës së votuesve, kanë pasur mbi 1 milion e 872 mijë.
Në anën tjetër, Valmir Ismajli nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto zgjedhje nxorën fitues dhe humbës të mëdhenj.
“Rezultatet tregojnë që nga këto zgjedhje humbësi më i madh mund të konsiderohet Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila për herë të parë renditet si partia e tretë, por nuk kanë dal mirë as koalicioni PAN, duke pasur parasysh që me tri parti të mëdha AAK-në dhe Nismën, si dhe me një grumbull të madh të partive të vogla nuk kanë arritur të marrin më shumë se 34 për qind të votave”.
“Si fituese e madhe del të jetë Lëvizja Vetëvendosje e cila si e vetme arriti të marrë më shumë se 27 për qind të votave”, thekson Ismajli.
Qytetarët më të drejtë votë në zgjedhjet e 11 qershorit, shton Ismjali, me votën e tyre ndëshkuan disa parti politike, derisa kërkuan që mundësia t’u jepet të tjerave.
“LDK është duke paguar faturën e të bërit koalicion me PDK-në dhe qytetarët e ndëshkuan dhe nuk ia dhanë besimin. Derisa, koalicionin PAN, qytetarët nuk e mirëpritën dhe për këtë arsye ka edhe rënie. Po ashtu qëndrimi i tyre i gjatë në pushtet (PDK-së) ka pasur ndikimin e vet që ky koalicion të mos marr votat që i kanë pritur”, thotë Ismajli.
Nga votimet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit do të përcaktohet përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 ulëse.
Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione paszgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në Qeveri.