Ka humbur jetën fëmija palestinez Hasan Ebu en-Nil, i cili ishte objektiv i plumbave të ushtarëve izraelitë gjatë pjesëmarrjes në protestat në Rripin e Gazës nën bllokadë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Ministria palestineze e Shëndetësisë thuhet: “Ndërroi jetë 12 vjeçari Hasan Ebu en-Nil i cili u plagos më 21 gusht nga plumbat e ushtarëve izraelitë gjatë pjesëmarrjes në protestat paqësore në një vend pranë kufirit të Gazës”.
Ushtarët izraelitë ndërhynë me plumba të vërtetë dhe bomba gazi ndaj palestinezëve të cilët javën e kaluar protestuan në kufirin lindor të Gazës kundër Izraelit për shkak të 52 vjetorit të djegies së Xhamisë Al-Aksa.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza kishte njoftuar se gjatë ndërhyrjes u plagosën 40 palestinezë përfshirë 20 fëmijë dhe se më pas humbi jetën edhe një nga dy personat e plagosur rëndë.
Në deklaratë u bë e ditur se njëri prej të plagosurve rëndë është edhe 12 vjeçari Hasan Ebu en-Nil i cili ishte plagosur në kokë.
Mesazh ngushëllimi nga Hamasi
Në një mesazh ngushëllimi të publikuar nga Hamasi për vdekjen e fëmijës palestinez thuhet: “Allahu e mëshiroftë Hasan Ebu en-Nil. Shprehim ngushëllimet për familjen e tij. Gjaku i pastër i dëshmorëve tanë në Rripin e Gazës nën bllokadë vërteton se populli ynë është i lirë, duke rezistuar dhe këmbëngulës në territoret e tij”.
Ndër të tjera në mesazh vihet theksi se lufta me armikun do të vazhdojë deri kur të përfundojë pushtimi në të gjithë territoret e Palestinës. /aa