Huawei prezanton HarmonyOS si zëvendësim për Google-n

Gjiganti kinez i teknologjisë Huawei prezantoi sot versionin e tij të fundit të vetë-zhvilluar të sistemit operativ Harmony (HarmonyOS) që shihet si një alternativë për androidët e Google-s, njoftuan mediat shtetërore kineze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Versioni i fundit u prezantua nga Richard Yu Chengdong, drejtor ekzekutiv i biznesit të konsumatorit në Huawei në konferencën vjetore të zhvilluesve të kompanisë në qytetin jugor kinez Dongguan, njoftoi tabloidi “Global Times”.

Ky hap erdh më pak se një javë para se të hynte në fuqi ndalesa e fundit e SHBA-së të çipave për Huawei.

Muajin e kaluar, Departamenti i Tregtisë së SHBA-së publikoi azhurnimin e një liste rregullash të dizajnuara për të kufizuar qasjen e Huawei-t në teknologjinë e SHBA-së.

Rregullat e reja parandalojnë Huawei-n të merrte çipa të zhvilluara ose të prodhuara me teknologji dhe softuer amerikan nga 15 shtatori.

Zhvillimi i fundit në HarmonyOS, EMUI 11 dhe ekosistemin e tij Huawei Mobile Services (HMS) Core 5.0 do të lejojë që produktet e tij të lidhen pa probleme me të tjerët, e cila konsiderohet si përgjigjja e drejtpërdrejt e gjigantit të teknologjisë kineze ndaj ndalimit të zgjeruar nga administrata e Trumpit.

“HarmonyOS do të përdoret tek telefonët e mençur vitin e ardhshëm”, tha Yu.

Ai tha se përkundër kufizimeve të Washingtonit ndaj Huawei-t, kompania regjistroi 105 milionë dërgesa të telefonëve të mençur në gjysmën e parë të vitit 2020.

“Pavarësisht ndalesës së SHBA-së, Huawei regjistroi 105 milionë dërgesa të telefonëve të mençur në gjysmën e parë të vitit 2020, me të ardhura totale prej 255.8 miliardë juan (37.4 miliardë dollarë)”, citoi Global Times të ketë thënë Richard Yu Chengdong.

Gjiganti kinez aktualisht ka 1.8 milionë zhvillues dhe 490 milionë përdorues aktivë në ekosistemin e tij, duke e bërë atë ekosistemin e tretë më të madh.

Analistët kinezë besojnë se Huawei tani mund të përballet me sanksionet e SHBA-së.

“Ne duhet të marrim një perspektivë afatgjate të kësaj beteje, 5 deri në 10 vjet. Vitet e ardhshme me siguri do të jenë të vështira për Huawei-n, por duke rritur përpjekjet e saj, kompania së bashku me sektorin e teknologjisë së lartë të Kinës, do të forcohen”, tha për tabloidin Fang Xingdong, themelues i “think-tank”-ut teknologjik me bazë në Pekin, ChinaLabs.