HRW: Izraeli kryen gje’noc’id duke penguar qasjen në ujë për civilët në Gaza

Organizata “Human Rights Watch” (HRW) tha se Izraeli ka kryer gjenocid duke penguar qëllimisht qasjen në ujë të mjaftueshëm për civilët palestinezë në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

HRW publikoi një raport të titulluar “Aktet e shkatërrimit dhe gjenocidi: Privimi i qëllimshëm i ujit nga Izraeli për palestinezët në Rripin e Gazës”. Në raport theksohet se autoritetet izraelite kanë kryer “krimin e shkatërrimit dhe gjenocidit” duke penguar qëllimisht civilët palestinezë në Gaza që të kenë qasje në ujë të mjaftueshëm që nga tetori i vitit 2023.

Në raportin i cili përfshin intervista me zyrtarë, punonjës shëndetësorë në Gaza, janë përdorur edhe imazhet dhe të dhënat satelitore nga tetori 2023 deri në shtator 2024. I përbërë prej 179 faqesh, raporti thotë se forcat izraelite kanë dëmtuar qëllimisht objektet e rëndësishme të ujit, të atyre për pastrimin e ujit dhe higjienës (WASH) në Gaza.

Më tej vihet në dukje se popullsia në Gaza nuk mund të përdorë sasinë minimale të ujit që nevojitet për të mbijetuar dhe se kjo shkakton vdekjen e mijëra njerëzve për shkak të etjes dhe sëmundjeve.

Autoritetet izraelite ndaluan dhe më pas kufizuan furnizimin e Gazës përmes tubacionit të ujit. Krahas ndërprerjeve të energjisë janë bërë jofunksionale infrastruktura e ujit dhe kanalizimeve të Gazës. Raporti thotë se Izraeli ka shkatërruar qëllimisht infrastrukturën e ujit dhe kanalizimeve dhe materialet e restaurimit të ujit.

Sipas raportit, gjetjet dhe “deklaratat e zyrtarëve izraelitë që synojnë qartë të shkatërrojnë palestinezët” mund të jenë dëshmi se ky vend po kryen gjenocid.

Drejtoresha ekzekutive e HRW-së, Tirana Hassan tha se “Uji është i domosdoshëm për jetën e njeriut, por më shumë se një vit qeveria izraelite në mënyrë të qëllimshme nuk u ka siguruar palestinezëve në Gaza sasinë minimale të nevojshme për të mbijetuar”.

Duke e cilësuar si “një krim shkatërrimi dhe gjenocidi”, pengesën e Izraelit për qasje në ujë për civilët palestinezë, Hassan shtoi se “Kjo nuk është thjesht neglizhencë, por një politikë e llogaritur e privimit që shkakton vdekjen e mijëra njerëzve për shkak të etjes dhe sëmundjes”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Oren Marmorstein në postimin e tij në platformën e mediave sociale X pretendon se Izraeli siguron rrjedhjen e vazhdueshme të ujit dhe ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.