Përgjatë vazhdimit të seancës së Kuvendit, kryesuesi i saj, Adem Mikullovci u ka bërë ftesë partive parlamentare për një takim konsultativ për ditën e mërkurë.
I kontaktuar nga Indeksonline, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka konfirmuar se do të jenë pjesë e këtij takimi.
Hoxhaj ka theksuar se koalicioni PDK-AAK-Nisma do të jenë pjesë e këtij takimi konsultativ.
“PDK-AAK-NISMA do të marrin pjesë në takimin konsultues të mërkurën dhe se në vend të veprimeve të njëanshme, i japim prioritet dialogut ndërpartiak dhe mirëkuptim për të konstituar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re”, ka thënë Hoxhaj.
Duhet përkujtuar që është pikërisht koalicioni PAN, të cilët kanë vazhduar edhe sot me bojkotim të seancës së Kuvendit, përderisa kanë cilësuar se duhet vazhduar takimet konsultative në mes partive deri në pjesëmarrjen e tyre në seancat e Parlamentit të Kosovës, në të cilën edhe duhet propozuar emri i kandidatit për Kryetar të Kuvendit.