Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë me dije të premten se brenda këtij viti pavarësia e Kosovës do të njihet nga tri shtete.
Konfirmimin për këtë ministri Hoxhaj e ka marrë gjatë takimeve që ka zhvilluar në New-York ku ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me ç’rast ka realizuar më shumë se 70 takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme.
Hoxhaj ka theksuar se qëllimi i dytë gjatë pjesëmarrjes në punimet e asamblesë ka qenë zyrtarizimi i raporteve ndërshtetërore me disa nga shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën, me qëllim të avancimit të raporteve bilaterale.
Duke theksuar se nënshkrimi i marrëveshjeve për marrëdhënie diplomatike është faza e dytë më e rëndësishme pas njohjes nga shtetet, pasi që pas nënshkrimit sigurohet vota për përkrahje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ministri Hoxhaj e ka vlerësuar këtë proces kaptinë të re për një bashkëpunim më të ngushtë në fusha të ndryshme.
Por ka shtuar se “ideja që të anëtarësohemi nëpër organizata nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e sovranitetit por ka të bëjë edhe me ushtrimin e sovranitetit dhe pikërisht detyra jonë si MPJ është që ta ushtrojmë sovranitetin. Dhe ne mund ta ushtrojmë sovranitetin përmes organizatave, duke promovuar një politikë të jashtme që i përmbush kërkesat tona të brendshme”.
Fokusi i radhës, siç ka thënë ministri është Hoxhaj, gjatë takimeve në New York ka qenë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai gjithashtu ka theksuar se gjatë takimeve me zyrtarë të lartë të shteteve partnere ka diskutuar edhe për avancimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe NATO-së dhe për bashkëpunimin me organizata të ndryshme multilaterale./