Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj po merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut, ku në panelin për “Sfidat gjeopolitike” me homologë nga rajoni dhe bota ka folur për perspektivën e Kosovës karshi sfidave dhe rreziqeve të reja.
Në fjalimin e tij, Hoxhaj ka thënë se për dallim nga viti 2013, i cili ishte viti europian për rajonin, në 2016 – rajoni po përjeton një status quo dhe me shumë kërcënime para vetes.
Mes të tjerash, janë tri sfida historike që duhet tejkaluar por dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundoj me njohje reciproke në të kundërtën është i pakuptimtë.
“Janë tri sfida historike që duhet ti tejkalojmë në rajon. Konteksti për emrin ndërmjet Shkupit dhe Athinës, konfliktet e brendshme ndëretnike në Bosnjë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Besoj që ky proces dialogimi i nisur duhet të përfundoj me njohje reciproke. Në të kundërtën është i pakuptimtë”, ka thënë Hoxhaj.
Ai më tej ka folur për një rol të ri dhe më të madh që Kroacia duhet ta ketë në rajon si shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe për faktin që e njeh shumë mirë rajonin.
Në këtë tryezë diskutimi kanë folur edhe ministri i jashtëm kroat, Miro Kovac, ai boshnjak, ai hungarez, dhe udhëheqës të delegacioneve të tjera. Po ashtu, ka folur edhe ndihmës asistenti i Sekretarit të Shtetit amerikan për Evropë, Hoyt Lee.
Ministri Hoxhaj ka zhvilluar edhe një sërë takimesh bilaterale me shtete njohëse dhe mos njohëse të pavarësisë së Kosovës.