Ministrja Dhurata Hoxha dhe krerët e lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësisë vizituan Depon qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar.
Shitja e pasurisë në fazën e sekuestrimit do të kontribuonte në ruajtjen e vlerës së këtyre pasurive, zvogëlimin e shpenzimeve gjatë administrimit të tyre, si dhe përfitimet që do sillte shitja në këtë fazë, theksoi ministrja Hoxha.
Sot, Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Dhurata Sadiku-Hoxha, së bashku me prokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, përfaqësues nga ambasada e SHBA-së, EULEX-i dhe zyra e BE-së në Republikën e Kosovës, vizituan Depon Qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar në fshatin Llukar. Kjo vizitë është bërë me qëllim të njohjes me çështjen e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara.
Ministrja Hoxha përkrah angazhimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, si dhe Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Policinë e Republikës së Kosovës, Prokurorinë dhe Gjykatat, në fushën e Sekuestrimit dhe të Konfiskimit, duke theksuar se është e nevojshme që të bëhet shitja e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar që të mos shkaktohen humbje shtesë edhe nga zhvlerësimi i asaj pasurie.
“Shitja e pasurive në fazën e sekuestrimit do të kontribuonte në ruajtjen e vlerës së këtyre pasurive, zvogëlimin e shpenzimeve gjatë administrimit të tyre, si dhe përfitimet që do sillte shitja në këtë fazë”, theksoi ministrja Hoxha duke vënë në pah se shitja e pasurive, ndikon në zvogëlimin e shpenzimeve për administrim që drejtpërdrejt nënkupton kursimin e arkës së shtetit.
“Vetëm sekuestrimi i pasurisë nga Gjykata nuk është i mjaftueshëm, por në këtë proces, duhet që konform dispozitave ligjore në fuqi, të nxirren vendime të cilat e lejojnë shitjen në fazën e sekuestrimit. Nuk do të lejojmë shpenzimin e buxhetit të shtetit për pronën e konfiskuar”, theksoi ministrja Hoxha.
Vlera e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, të pranuar sipas vendimeve gjyqësore është 34,441,645.40, euro.