Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier është takuar sot me kryetarin e Listës Serbe, njëherësh ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq.
Pas këtij takimi, Hovenier ka bërë të ditur se së bashku me Rakiqin kanë diskutuar për vendimet e fundit të Kosovës ndaj Serbisë.
Sipas tij, vendimet janë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, shkruan teve1.info
“Ne folëm për rëndësinë e deeskalimit të disa prej këtyre çështjeve. I kujtova disa nga qëndrimet e SHBA-së për disa nga këto çështje që përfshijnë masat e reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka dashur të vendosë. Nga këndvështrimi ynë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime për t’u zbatuar. Ne gjithashtu folëm për rëndësinë që të sigurohemi që shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës të përfshihen në këto bisedime dhe të jenë një element se si do të vazhdojnë gjërat”, u shpreh Hovenier.
Vizita e Hovenier vie pas zhvillimeve në veri gjatë të dielës, pas Kosova i vendosi reciprocitet Serbisë për targa dhe dokumente. Si shenjë pakënaqësie, serbët lokalë kishin vendosur barrikada në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Pas kërkesës nga SHBA-ja, Kosova ka vendosur që vendimi për reciprocitetet të shtyhet deri më 1 shtator.