Hoti u kërkon institucioneve të sigurisë koordinim me KFOR-in

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka mbajtur një takim me drejtues të institucioneve të sigurisë, nga ku ka kërkuar koordinim me mekanizmat ndërkombëtarë e në veçanti, me KFOR-in.

Në njoftimin për media nga kryeministrie, theksohet se Hoti kërkoi që përkushtimi i tyre dhe mobilizimi i tyre edhe kundër COVID-19, të vazhdojë edhe më tutje.

“Ndërkohë që kërkoi edhe koordinimin me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, e në veçanti me KFOR-in, si një partner strategjik i Kosovës në fushë të mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Hoti mbajti takim virtual me ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, ministrin e Mbrojtjes, Anton Qunin, drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kreshnik Gashin, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn.

Ky takim vjen pas rastit që ndodhi në Karaçevë, ku u fut xhandarmëria serbe. KFOR-i, pas kritikave e reagimeve të shumta që ndezën në Kosovë, tha se ishin patrullime të sinkronizuara me ushtrinë serbe.

Ndërkohë, në Kosovë u kërkua që të thellohet bashkëpunimi i institucioneve në Kosovë me KFOR-in.