Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie, ka treguar arsyet për shkarkimet e fundit që janë bërë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka treguar në detaje arsyet përse janë shkarkuar drejtori i ATK-së, Doganës dhe Policisë së Kosovës, raporton lajmi.net.Në një konferencë për medie, Hoti ka thënë se të gjithë këta janë shkarkuar në bazë të raporteve të ardhura nga ministrat.
Hoti ka thënë se drejtori i AKT-së, Ilir Murtezaj, është shkarkuar për shkak të parregullsive që ka pasur dhe një varg vendimeve kundër rregulloreve dhe kundërligjore.“Ky vendim është plotësisht në përputhje me ligjin mbi bazën e arsyeshmërisë që e ka sjellë ministria e financave, ku theksohet qartë që zotëri Elezaj ka marrë vendime për shkak të paaftësisë ose keqmenaxhimit… ka shpallur konkurs për vende të reja të punës ku ka emëruar njerëz dhe nuk ka sistemuar njerëz që kanë qenë dhe ka degraduar zyrtarë të kësaj agjencie në pagat e tyre. Të gjitha këto shkelje janë konstatuar edhe në vendimin juridik të avokatit të popullit. Për të gjitha këto arsye, ne është dashur që të vendosim për ligjshmërinë në këtë agjenci”, theksoi Hoti, raporton lajmi.net.
Në anën tjetër, ai theksoi se në vend të Ibrahim Xhakës, që ishte drejtor i Doganës së Kosovës, tashmë është caktuar një person që ka ardhur në mesin e tre propozimeve nga Ministria e Financave.Sa i përket shkarkimit të drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, Hoti tha se u shkarkuar për një varg vendimesh të kundërligjshme që i ka marrë, por edhe për shkak se aksioni në Karaçevë nuk është menaxhuar ashtu siç duhet.
“Në Polici, në bazë të raportit të performancës e kam liruar nga detyra drejtorin e policisë. Raporti i performancës së ministrit tregon qartë se drejtorit i policisë ka treguar performancë jo të mirë në udhëheqje dhe kontroll të policisë…. më tutje në raport theksohet se në planin burimor strategjik të policisë janë vënë katër objektive në të cilat ministri thekson se avancimi i burimeve njerëzore nuk është përmbushur i cili ka qenë synim. Përveç këtyre është dhënë edhe arsye se nuk është bërë ashtu siç duhet edhe aksioni i policisë në Karaçevë dhe ka pasur mangësi në menaxhimin e këtij aksioni”, ka deklaruar Hoti ndër të tjerash, raporton më tutje lajmi.net.
Tutje ai ka thënë se një tjetër arsye e shkarkimit të Qalajt ka qenë edhe numri i madh i zyrtarëve policorë të arrestuar dhe se përkundër këtij fakti nuk janë bërë ndryshme të duhura në Policinë e Kosovës.