Ballina Lajmet Kosovë Hoti: Qytetarët të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve

Hoti: Qytetarët të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve

Në kuadër të promovimit të Ligjit për faljen e borxheve publike dhe për të njoftuar për së afërmi për ecurinë e implementimit të Ligjit për faljen e borxheve publike nëpër institucionet publike, si dhe për sensibilizimin e qytetarëve për të përfituar nga falja e borxheve, ministri i Financave Avdullah Hoti sot ka vizituar drejtorinë e kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” dhe drejtorinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ku është pritur në takime të ndara nga kryeshefi ekzekutiv i kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” Ilir Abdullahu, si dhe drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës Arben Gjukaj.

Me këtë rast, ministri Avdullah Hoti i përgëzoj të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces për të gjitha angazhimet dhe përpjekjet e tyre të deritanishme dhe në të njëjtën kohë i inkurajoj që edhe më tutje të vazhdohet me zbatimin e procedurave të duhura për të përmbushur detyrimet të cilat burojnë nga ligji.

Ai gjithashtu ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët akoma nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi të vizitojnë institucionet ndaj të cilave kanë detyrime të papaguara dhe në përputhje me Ligjin për faljen e borxheve, të aplikojnë dhe të zhvillojnë procedurat brenda afatit ligjor, në mënyrë që të mund të realizojnë të drejtat e tyre dhe të përfitojnë nga falja e borxheve deri më 1 shtator 2017.

Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “Me qëllim të koordinimit të mirë të procesit të faljes së borxheve, si ministër i Financave më 3 shkurt 2017 kam themeluar Komisionin Koordinues Ndërinstitucional të Faljes së Borxheve. Komisioni i themeluar po ofron në vazhdimësi përkrahje teknike, procedurale dhe ligjore për të gjitha Institucionet Shtetërore dhe Ndërmarrjet Publike për të garantuar kështu mbarëvajtjen e procesit në tërësi”.

“Në zbatim të detyrimeve, po merren të gjitha masat e nevojshme nga Institucionet Shtetërore dhe Ndërmarrjet Publike dhe brenda afateve po punohet për të identifikuar, freskuar dhe përgatitur listat e të gjithë personave, të cilët duke iu nënshtruar dispozitave të ligjit, mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike”, shtoi Ministri Hoti.

Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” Ilir Abdullahu, gjatë takimit me ministrin Avdullah Hoti, duke e informuar atë dhe Komisionin për faljen e borxheve për zbatimin e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, falënderoi Qeverinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunimin e mirë, ndërsa sa i përket shlyerjes së borxheve të konsumatorëve tha se edhe më tutje mbetet një numër i madh i konsumatorëve që akoma nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë që ofron Ligji për faljen e borxheve publike.

Ai gjithashtu ju bëri thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë muajve në vazhdim të shfrytëzojnë mundësinë që ju jep Ligji për faljen e borxheve publike.

Ndërsa, gjatë vizitës së ministrit Avdullah Hoti në KEK, drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës Arben Gjukaj, e informoi Ministrin dhe Komisionin për faljen e borxheve për ecurinë e deritanishme sa i përket faljes së borxheve publike, por edhe për gjendjen e minierës dhe funksionimin e dy termocentraleve.

Ai bëri të ditur se “Me Ligjin për falje të borxheve janë trajtuar gjithsejtë: 238,682 përfitues potencial, ku deri më tani kanë përfituar 117,500 konsumator. Nga vlera totale e paraparë për falje 262 milionë deri më tani janë falur 101 milionë (40%), përderisa nga vlera 96 milionë e parashikuar për tu inkasuar deri me tani janë arritur marrëveshje për 14 milionë euro” ka thënë Gjukaj.

Drejtori menaxhues në KEK Arben Gjukaj, duke falënderuar Ministrin Hoti për përkrahjen e tij të zakonshme edhe njëherë shfrytëzoi rastin që tu bëjë thirrje të gjithë konsumatorëve të KEK-ut ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre që u jep Ligji për faljen e borxheve” .

Exit mobile version